Kosovë, Gjykata Supreme refuzon të gjitha ankesat nga procesi zgjedhor i 14 shkurtit

Nga 15 ankesa të parashtruara nga subjekte dhe kandidatë politikë në këtë gjykatë janë refuzuar të gjitha

Me gjashtë ankesa të reja të refuzuara sot dhe nëntë të tjera të refuzuara dje, Gjykata Supreme ka refuzuar gjithsej 15 ankesa të parashtruara nga subjekte dhe kandidatë politikë për procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një komunikate për media, gjykata ka njoftuar se sot ka refuzuar ankesat e subjekteve Lëvizja Vetëvendosje, Romani Iniciativa, Partia Liberale Egjiptiane, Partia e Ashkalive për Integrim, Lëvizja Përparimtare e Romeve të Kosovës, Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hoxhiq dhe subjektit Social Demokratska UNIJA – SDU, duke i konsideruar ato si të pabazuara.

Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar nga PZAP-ja të bëhet numërimi i 20.550 pakove me fletëvotime të arritura me postë nga votuesit jashtë Kosovë, por PZAP e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë si “kërkese4 pas-afatit”.

Në mesin e këtyre ankesave është edhe ankesa e kandidates për deputete Adriana Hoxhiq kundrejt vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me anë të të cilit u vendos që të anulohen 4 mijë e 205 vota për subjektin e saj politik në 10 komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas rezultateve të shpallura nga KQZ, Adrijana Hoxhiq, ka marrë 6 mijë e 422 vota, mirëpo me anulimin e 4 mijë e 205 votave, asaj do t’i mbesin vetëm 2 mijë e 217 vota.

Në vazhdim pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të certifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në mënyrë që t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.