Kosovë, fillon votimi për kryetarë të katër komunave në Mitrovicë

Qytetarët me të drejtë vote mund të votojnë për kandidatë nga tre subjekte politike, përkatësisht Listën Serbe (LS), Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV)

Nga ora 7 e mëngjesit janë hapur vendvotimet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore me shumicë serbe të Kosovës, në Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, raporton Anadolu Agency (AA).

Për zgjedhjet në këto katër komuna do të jenë të hapura 44 qendra votimi dhe gjithsej 87 vendvotime.

Qytetarët me të drejtë vote mund të votojnë për kandidatë nga tre subjekte politike, përkatësisht Listën Serbe (LS), Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

Përveç LS-së, asnjë nga subjektet tjera të komunitetit serb në Kosovë nuk garon në këto zgjedhje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna u shpallën në fillim të prillit 2019 nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pasi kryetarët e katër komunave, të gjithë nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje më 27 nëntor të vitit 2018 si reagim ndaj taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe që hynë në Kosovë.

Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 57,983 votues ose 970 votues më shumë se në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura më 22 tetor të vitit 2017. Votues më shumë ka në Mitrovicë Veriore (22.055), pasuar nga Leposaviq (18,164), Zubin Potok (8,535) dhe Zveçan (9,229).

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka akredituar 464 vëzhgues që përfaqësojnë 2 parti politike, 2 misione ndërkombëtare, 1 Komision Evropian, 2 misione diplomatike, 12 ambasada, 1 OJQ ndërkombëtare, 4 OJQ vendore dhe 15 media.

Siç është raportuar më parë nga Policia e Kosovës, gjatë ditës së zgjedhjeve në veri janë angazhuar më shumë se 400 oficerë policie.

Procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës dhe me kërkesë të KQZ-së ndihmohet në konsultime teknike nga Misioni i OSBE-së në Kosovë me rreth 215 zyrtarë.