Kosovë, arrestohet kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanovic

Mbi bazën e Kodit Penal të Kosovës e cila sanksionon këtë veprim, me vendim të prokurorit të çështjes “u vendos ndalimi dhe arrestimi i të pandehurit, Bozhidar Dejanovic, për 48 orë”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka arrestuar kryetarin e Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanovic, nën dyshimin se ka kryer vepër penale ““Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bën të ditur Prokuroria nëpërmjet një njoftimi për media, arrestimi i Dejanovic ka ardhur si pjesë e ekzekutimit të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake, për kontrollimin e objekteve të Komunës së Kllokotit, lidhur me hetimin e tyre ndaj kryetarit të Komunës, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale, e cila sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës.

“Me vendim të prokurorit të çështjes u vendos ndalimi dhe arrestimi i të pandehurit, Bozhidar Dejanovic, për 48 orë”, njofton komunikata.

Tutje, bëhet e ditur se brenda afati ligjor, Dejanovic do të paraqitet para Gjyqtarit të procedurës Paraprake.

Policia e Kosovës njoftoi sot se po realizon një aksion pas dyshimeve për manipulime me vota.

Arrestimi i Dejanovic lidhet me dyshimet se ka “cenuar përcaktimin e lirë të votuesve”, në komunën e Kllokotit, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt.

Më 8 mars, Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave (PZAP) aprovoi ankesat e partive minoritare boshnjake dhe rome, në lidhje me keqpërdorim të votës së minoriteteve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

PZAP njoftonte se partive boshnjake “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq”, Koalicionit Vakat, Unioni Socialdemokrat dhe Partia Demokratike e Re u janë anuluar në tërësi votat në komunat Zubin Potok, Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot e Novobërdë.

Me të njëjtën arsye, se “është standard jodemokratik, që me votat e votuesve të një komuniteti tjetër të sigurohet e drejta e përfaqësimit e një komuniteti tjetër”, PZAP anuloi edhe votat e partisë rome Iniciativa Rome.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit janë ende në pritje, për shkak të shqyrtimit të disa ankesave që Gjykata Supreme aktualisht është duke e bërë ndërsa afati për vendimin e tyre përfundon sot.