Kosovë, arrestohen 17 të dyshuar për përfshirje në prostitucion

Policia e Kosovës në tri rajone të ndryshme, përkatësisht në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan ka arrestuar gjithsej 17 të dyshuar për përfshirje në veprimtari penale që kanë lidhje me prostitucionin

Policia e Kosovës në tri rajone të ndryshme, përkatësisht në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan ka arrestuar gjithsej 17 të dyshuar për përfshirje në veprimtari penale që kanë lidhje me prostitucionin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim me shkrim nga PK thuhet se policia, konkretisht Njësia për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (NjHTQNj) në Prishtinë, pas një hetimi paraprak, dje ka zbatuar një plan taktik ku ka arrestuar 14 të dyshuar.

“Tre (dy femra dhe një mashkull) të dyshuar, janë arrestuar për përfshirje në veprat penale ‘mundësim ose detyrim në prostitucion’ dhe ‘ofrim i lokaleve për prostitucion’ ndërsa 11 të dyshuar të tjerë për ‘marrje me prostitucion’. Lidhur me rastin është njoftuar prokurorja kujdestare ndërsa me aktvendim të saj, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

PK bën të ditur se edhe në Ferizaj njësia në fjalë ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në veprën penale “mundësim dhe detyrim në prostitucion”. Në konsultim me prokurorin e rastit të Prokurorisë Themelore Ferizaj, i dyshuari është liruar, ndërsa lënda ka shkuar në procedurë të rregullt.

Kurse në Gjilan, janë arrestuar dy persona të dyshuar, për shkak të dyshimit të bazuar për “marrje me prostitucion”. Personat e arrestuar, pas kompletimit të rastit janë dërguar me procedurë të shpejtë në Gjykatën Themelore në Gjilan.