Kosova shënon numër rekord të të infektuarve me COVID-19

Bazuar në të dhënat e IKSHPK-së, vendi ka regjistruar një numër rekord të rasteve të reja me COVID-19...

Autoritetet shëndetësore në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit kanë shënuar shifër rekord të të infektuarve me kororonavirusin e ri (COVID-19) që nga shpërthimi i pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), në vend janë regjistruar 963 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në 27.851 numrin e përgjithshëm të të infektuarve me këtë virus.

Vendi po ashtu ka regjistruar 13 viktima të reja nga pandemia, me çka numri i përgjithshëm i vdekjeve nga virusi ka shkuar në 797.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 2.059 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt deri më tani janë testuar gjithsej 115.794 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 177 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 16.862 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.192.