Kosova planifikon armatim modern për ushtrinë, Mehaj takon shefin e “Bayraktar”

Qeveria e Kosovës ka planifikuar të shtojë armatimin modern për ushtrinë e saj. Nga Turqia Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka paralajmëruar se do të vazhdojnë blerjet e pajisjeve tjera ushtarake nga ky shtet. Ministri Mehaj është kujdesur të theksoj se blerjet e armatimeve do të jenë gjithmonë në koordinim me partnerët dhe sipas standardeve të NATO-s.

Dronët e Turqisë “Bayraktar TB-2” të cilët morën famë pas përdorimit nga ana e Ukrainës në luftë, tashmë janë pjesë e arsenalit ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, pas takimeve që ka zhvilluar në Turqi me presidentin e industrisë së mbrojtjes së Turqisë, Haluk Görgün dhe Shefin e kompanisë “Baykar”, Haluk Bayraktar.

Blerjen e dronëve Bayraktar, Mehaj e cilësoi si një nga investimet më të mëdha në ushtri gjatë viteve të fundit. Sipas tij, blerjet shtet me shtet nga Turqia, kanë qenë produktive, më të shpejta dhe më të sigurta.

“Takimi me presidentin e industrisë së mbrojtjes së Republikës së Turqisë, blerjet shtet me shtet nga Republika e Turqisë kanë qenë produktive, më të shpejta dhe më të sigurta, prandaj bashkëpunimi ynë në këtë aspekt, do të vazhdoj edhe në të ardhmn. Blerjet tona do të jenë gjithmonë në koordinim me partnerët tanë dhe sipas standardeve të NATO-së. Ushtria jonë është duke u pajisur me teknologjinë e fundit të armatimit për qëllime mbrojtese”, shkroi Mehaj.

Ndonëse nuk ka asnjë informacion sa dronë ka blerë Kosova dhe cila është shuma e përdorur, Ambasadori i Turqisë në Kosovë, tha se ardhja e dronëve “Bayraktar TB-2” ishte rezultat i një marrëveshjeje dhe jo një donacioni.

I pyetur se  a do të arrijnë dronë të tjerë në Kosovë, diplomati turk u shpreh se kjo varet nga nevojat e Kosovës.

“Kjo varet nga nevoja e Kosovës por deri më tani, forcat mbrojtëse të Kosovës janë duke kaluar nëpër bashkëpunime, trajnime dhe kemi disa bashkëpunime me udhëheqësit ushtarakë…këtu po fokusohemi më tepër por nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të fitojë ndonjë pajisje shtesë në lidhje me këto nevoja, në lidhje me kornizat e NATO-së, atëherë Turqia dhe shtetet e tjera do iu përgjigjen këtyre nevojave. Deri më tani, nuk ka qenë në agjendën tonë një gjë e tillë”, tha ai.

Dronët bajraktar fluturuan për herë të parë në vitin 2014. Ato u krijuan nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit. Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Ata po ashtu, mund të pajisjet me katër raketa të llojit të “mikro municioneve të mençura”, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë.

Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.