Kosova kthen në rrugë automjetet e vjetra

Qeveria e Kosovës tashmë ka bërë gati një propozim për lejimin e importit të makinave të vjetra. Në draft-dokumentin që është bërë nga ekzekutivi tregohen detaje se si do të behët lejimi i importit të tyre dhe si do të ndryshojnë akcizat. Sipas ligjeve në fuqi mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet.

Që nga janari i vitit 2018 të gjitha automjetet e kategorisë më të vjetra se 10 vjet dhe ato që nuk kanë motor të standardit “Euro 4” nuk mund të zhdoganohen brenda territorit të Kosovës.

Kjo ishte bërë për shkak të kufizimeve ligjore në import dhe për të ruajtur ambientin nga lirimi i gazrave të makinave.

Mirëpo, tash pritet të ndryshoj gjithçka.

Qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të mund të importojnë edhe makina më të vjetra se 10 vjet.

Qeveria tashmë i ka bërë edhe planet se si do të kthehen në rrugë makinat e vjetra.

Në koncept-dokumentin e përgatitur nga shteti tregohen detaje se do të behët lejimi i importit të tyre dhe si do të ndryshojnë akcizat.

Akciza për këto automjete do të jetë dy herë më e lartë se makinat që janë më të reja se 10 vjet. Janë paraparë ndryshime edhe tek veturat hibride.

“Politika e akcizës në automjete: Kjo polikë i ngërthen në vete dy probleme. E para politika nuk është e njëtrajtshme ndaj të gjithë atyre të cilat janë subjekt i kësaj politike. Personat me fuqi më të lartë blerëse janë më të favorizuar sesa ata me fuqi më të ulët blerëse. Modaliteti tjetër është që veturat hibride kanë akcizë prej 10 euro për veturë ndërsa ato elektrike janë subjekt i akcizës sikurse veturat me djegie të brendshme”, thuhet në këtë dokument.

Sipas këtij dokumenti veturat deri në 10 vite do të paguajnë akcizë nga 500 deri në 1500 euro.

Kurse, për veturat më të vjetra se 10 vite, që janë në qarkullim të lirë në Kosovë nëse i plotësojnë kërkesat ligjore, aplikohen normat e akcizës nga 1 mijë deri në 3 mijë euro.

Veturat e reja dhe të vjetra deri në 10 vite:

Veturat: deri në 1999.99 cc – 500 euro;
Veturat: nga 2000cc deri në 2999.99 cc – 1000 euro;
Veturat: mbi 3000cc – 1500 euro;
Veturat më të vjetra se 10 vite, që janë në qarkullim të lirë në Kosovë nëse i plotësojnë kërkesat ligjore, aplikohen normat e akcizës si në vijim:

Veturat: deri në 1999.99 cc – 1000 euro;
Veturat: nga 2000cc deri në 2999.99 cc – 2000 euro;
Veturat: mbi 3000cc – 3000 euro;
Veturat elektrike dhe hibride: të lirohen nga akcizat.

MI: Po punohet tek çështja e ndotjes së ambientit

Se është duke u shqyrtuar mundësia e lejimit të importit të këtyre veturave e thotë edhe vet, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Ai ka treguar se deri ku ka shkuar puna për këtë çështje.

“Jemi në plotësim-ndryshim të këtij ligji, por është në fazë shumë të hershme, pasi është edhe një element i cili duhet të punohet në të. Është çështja e ndotjes së ambientit nga veturat, dhe për këtë duhet edhe kontrollimi i veturave, pasi me raste mund të ndodh që ndotje shkaktojnë edhe veturat 5 vjet të vjetra”.

Sipas Durishit kujdes të madh duhet të ketë tek ndotja e ambientit.

“Prandaj, para se të propozohet ndryshimi i ligjit duhet të punohet në shtimin e kontrollit të veturave që hyjnë në Kosovë. Mirëpo, për ndryshim të këtij ligji së pari duhet të organizohet edhe dëgjim publik e pastaj për këtë çështje vendos Kuvendi i Kosovës”.

Kundër lejimit të importit të këtyre veturave është Valon Raka nga organizata për mbrojtje të Mjedisit “Gjethi”.

Ai thotë se Kosova ka një problem serioz me ndotjen e ajrit dhe numrin e madh të automjeteve, që tani janë në qarkullim

“Ne e dimë se deri në vitin 2035, Bashkimi Evropian planifikon që të ndalë shitjen e makinave me derivate. Ne nuk mund të jemi pro për arsye tjera duke e ditur se ne si shtet jemi zotuar që të jemi pro agjendës së gjelbër evropiane, natyrisht kjo shkon edhe drejt trendit global, i cili është ulja e emetimit të gazrave”.

Sipas statistikave, mesatarja e vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet, që konsiderohet për 10 vjet më e vjetër se veturat që qarkullojnë në shtetet e BE-së.

Veturat më të vjetra se 10 vjet janë të amortizuara

Veturat më të vjetra se 10 vjet në Kosovë janë 80 për qind të amortizuara dhe se në këtë drejtim duhet të ketë një mbikëqyrje më të madhe nga organet shtetërore.

Kështu shprehet eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj duke shtuar se qytetari duhet të zgjedh ndërmjet veturës së re e me kosto të mirëmbajtjes më të lirë dhe asaj të vjetrës me çmim më të shtrenjtë.

“Automjetet të cilët i kalojnë 10 apo 12 vite konsiderohet si të amortizuar për 80 për qind, prej këtij pozicioni nëse e shikojmë, atëherë ato duhet ta kenë një përkujdesje më të madhe nga organet shtetërore, për sa i përket kontrollimit teknik. Ne e dimë se në Kosovë e kemi kontrollimin teknik periodik për automjetet zyrtare ose për ato që janë në shërbim për palën e tretë, si dhe kontrollimin e rregullt, sidomos e kemi kontrollimin e jashtëzakonshëm”.

Sipas tij, paralelisht me ndryshimin e Ligjit për Automjetet duhet të jetë edhe ndryshimi i Ligjit për Doganimin e Automjeteve.

“Paralelisht me ndryshimin e Ligjit për Automjetet duhet të jetë edhe ndryshimi i Ligjit për Doganimin e Automjeteve, për shkak se qytetarit duhet t’i ofrohet që përmes sistemit të lehtësimit të lehtësimit të doganave, duhet të ofrohet i njëjti çmim i 12-vjecarit me 6-vjecarin, ku në këtë formë atëherë do të kishim mundur ta ruajmë sigurinë në komunikacion, rifreskimin e veturave për një periudhë deri 5-vjeçare deri në 10-vjeçare, ku pastaj duhet të bëhet analizimi për futjen e ekotestit”.

Eksperti i komunikacionit thekson se procedurat aktuale të doganimit e kanë bërë të mundshme që të importohen veturat e vjetra.

“Me qenë se procedurat e doganimit janë të tilla, ku na është imponuar hyrja e veturave të vjetra, pastaj kriminaliteti në automjete, largimin e numrit të shashisë e bartja në automjete tjera, ku të gjitha këto fenomene i ka bërë shteti, pra ua ka mundësuar qytetarëve. Merreni e shikojeni Agjencinë e Statistikave, ku e shihni që 80 për qind e veturave janë mbi 17 vjet. Do të thotë që qytetari nuk ka pasur mundësi që ta blejnë një veturë të re për shkak të procedurave doganore”.

Në përgjithësi mesatarja e vjetërsisë se veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet, apo rreth 10 vjet më shumë sesa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda Bashkimit Evropian.

Në Doganat e Kosovës kanë treguar se qytetarët vazhdojnë të blejnë më shumë vetura të përdorura, sesa të reja.

Sipas të dhënave të tyre, që mbulojnë periudhën janar – prill 2022, numri i veturave të përdorura të importuara në Kosovë është 7,056, ndërsa i veturave të reja 931.

Drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, thotë se për të pasur siguri në komunikacion është shumë e rëndësishme gjendja teknike e automjeteve.

Sipas tij, ndryshimet ligjore “janë kompetencë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”.

Kurse, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme në Prishtinë, që datojnë nga dhjetori i kaluar, në Kosovë janë të regjistruara gjithsej 395,840 vetura. Prej tyre, vetëm 74 janë 100 për qind elektrike, që nënkupton se kanë ndotjen zero ndaj ambientit.

Numri më i madh i veturave është i atyre që përdorin naftën për djegie – saktësisht, 329,403 të tilla.

Disa vende të Evropës, përfshirë Parisin, Berlinin, Stokholmin, Londrën, kanë ndërmarrë masa të ndryshme për kufizimin e automjeteve të vjetra. Disa, madje, janë zotuar se do t’i ndalojnë automjetet me naftë të qarkullojnë në qendrat e qyteteve deri në vitin 2025.

Kosova “deponi e lëvizshme e Evropës”

Muhamed Krasniqi, drejtor i Kolegjit Tempulli në Prishtinë, njëherësh njohës i çështjeve të komunikacionit, ka treguar se Kosova, nëse inkurajon importin e automjeteve të vjetra, do të shndërrohet në “deponi të lëvizshme të Evropës”.

“Kjo do t’i ndihmonte disa shtete të Bashkimit Evropian që t’i pastrojnë rrugët e tyre nga automjetet e vjetra dhe, në të njëjtën kohë, do të kontribuonte në ndotjen e mëtutjeshme të rrugëve të reja të Kosovës”, ka treguar ai në një paraqitje për media.

Krasniqi ka thënë se është mirë që Kosova të nisë të ndërmarrë masa për krijimin e infrastrukturës për transportin e gjelbër, përkatësisht për automjetet elektrike.

Shqetësimet për ndikimin që kanë ndotësit e shkarkuar nga automjetet e vjetra dhe motorët me naftë në shëndetin e njeriut, janë rritur viteve të fundit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se miliona vdekje çdo vit lidhen me ekspozimin e njerëzve ndaj ndotjes së ajrit të jashtëm.

Kosova, në matjet e organizatave të ndryshme, shpesh është renditur në mesin e vendeve me ajrin më të ndotur në botë.

Në ndotjen e ajrit në Kosovë, përveç termocentraleve që djegin thëngjillin për prodhimin e energjisë elektrike, ndikojnë edhe emetimet nga automjetet, thonë ekspertët e mjedisit.

“[Importimi i veturave më të vjetra se dhjetë vjet], aga aspekti mjedisor, do ta rëndojë situatën, konkretisht do ta ndotë ajrin shumë më shumë se që e kemi aktualisht”.

Në vitin 2018, ende pa u bërë një vit nga hyrja në fuqi e Ligjit për ndalimin e importit të veturave të vjetra mbi 10 vjet, disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë propozuar ndryshime dhe plotësime në këtë ligj.

Arsyetimi i tyre në atë kohë ka qenë që t’iu mundësohet edhe qytetarëve me kushte më të vështira ekonomike që të blejnë vetura – meqë sa më e vjetër vetura, aq më e lirë.

Lidhur me këtë propozim ka reaguar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke thënë se ndryshimi i ligjit do të ishte në kundërshtim me normat e BE-së.

“Çdo motor, sa më i vjetër të jetë në përdorimin e tij, efiçencën e djegies së karburantit e ka më të dobët. Djegia më e dobët e karburantit nënkupton shkarkime më të mëdha ndotëse në ajrin ambiental që ne po e thithim”.