Kosova imponon 100 për qind taksë ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina

Në mbledhjen qeveritare, ministri Shala ka kërkuar që nga sot t’i vendoset masa prej 100 për qind produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për të imponuar 100 për qind taksë ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbledhjen qeveritare, ministri Shala ka kërkuar që nga sot t’i vendoset masa prej 100 për qind produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kërkesa e ministrit Shala u miratua nga kabineti qeveritar.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme ministri Shala lëshoi urdhëresë me të cilën ndalon shitjen e produkteve që nuk i referohen Kosovës si shtet.

Në fillim të muajit Qeveria e Kosovës po ashtu miratoi kërkesën e ministrit Shala për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë, e cila nënkupton taksën prej 10 për qind të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, me përjashtim të produkteve të brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.