“Kosova është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në”

"Gjatë takimit Haradinaj-Palmer është biseduar për situatën aktuale në Kosovë dhe rajon, procesin e transformimit të Forcës për Sigurinë e Kosovës në Ushtrinë e Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi"

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj sot në takime të ndara ka pritur zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer dhe ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boshkoviq, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se gjatë takimit Haradinaj-Palmer është biseduar për situatën aktuale në Kosovë dhe rajon, procesin e transformimit të Forcës për Sigurinë e Kosovës në Ushtrinë e Kosovës, dialogun Kosovë – Serbi, si dhe aspekte që lidhen me përpjekjet për një unitet ndërinstitucional dhe ndërpartiak rreth dialogut dhe me sundimin e rendit dhe ligjit si dhe proceseve të tjera të rëndësishme të integrimit euro-atlantik.

“Qytetarët dhe institucionet e Kosovës përherë janë falënderues për ndihmën e gjithanshme që kanë dhënë dhe vazhdojnë të jep SHBA-ja, për Kosovën. Kosova është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në në të gjitha fushat. Kemi arritur rezultate të ndjeshme në fushën e sundimit të ligjit dhe po ashtu, vendi ynë duke e rritur konsolidimin e shtetit nga brenda po e forcon agjendën e tij të integrimit euro-atlantik”, ka thënë Haradinaj.

Nga ana e tij, sipas njoftimit, Palmer ka vlerësuar të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të SHBA-ve për avancimin e agjendës integruese dhe zhvillimore të Kosovës, duke u shprehur se ShBA-të do të vazhdojnë ta ndihmojë Kosovën në fuqizimin e shtetit të saj dhe proceset nëpër të cilat po kalon.

– “Mali i Zi do të mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike”

Ndërkaq gjatë takimit me ministrin malazez, Boshkoviq, Haradinaj ka biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast e ka njoftuar ministrin Boshkoviq rreth hapave të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për tranzicionin e FSK-së dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës, duke vlerësuar se Kosova dhe Mali i Zi kanë raporte të mira ndërfqinjësore.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve mike duhet të vazhdojë edhe në fushën e sigurisë, në atë ekonomike dhe politike.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boshkoviq, sipas njoftimit, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke thënë se bashkëpunimi ekonomik, politik dhe në fusha të interesit reciprok, ndërmjet dy vendeve mike është me rëndësi. Më tej, ministri Boshkoviq ka konfirmuar se Mali i Zi do të mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.