Kosova dhe Maqedonia nisin ndërtimin e pikës së përbashkët kufitare

Në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës dhe Maqedonisë dhe të drejtuesve të misioneve të BE-së në të dy vendet sot është vënë guri i themelit të pikës së përbashkët kufitare në mes të dy vendeve.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, shefi i zyrës së BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, etj.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se pika e përbashkët kufitare mes Maqedonisë e Kosovës është dëshmi e triumfit të vizionit europian mbi histori.

Rajonit të Anamoravës rruga për Maqedoni shumë shpejt pritet t’i shkurtohet për 120 kilometra.

Me hapjen e pikës së re kufitare në Stançiq – Bellanoç, ku edhe u vu guri themeltar për ndërtimin e saj, banorët do të kenë lehtësi të mëdha qarkullimi.

Ky projekt që pritet të funksionalizohet vitin e ardhshëm, kishte dështuar disa herë.

Si projekt mjaft i rëndësishëm dhe lehtësim i madh për qytetarët shihet nga zyrtarët institucionalë të shtetit të Maqedonisë dhe të Kosovës.

Nga ta u pranua se ky projekt është vonuar derisa u tha se kufijtë e shtetit të Kosovës janë të paprekshëm dhe të pacenueshëm.

Financuesit e ndërtimit të kësaj pike të re kufitare, thonë se kjo tregon për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Maqedonisë, në rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Shpresoj se do të vazhdoni të punoni bashkërisht për implementimin e punëve dhe më tej në kooperimin e arritjeve të synimeve, për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve dhe të gjithë rajonit”, ka thënë Apostolova.

“Fakti që ne jemi sot këtu, është përkushtim i demonstrimit i dy vendeve fqinje për të zhvilluar marrëdhëniet në të ardhmen. Po ashtu, është demonstrim i durimit edhe të BE-së”, ka thënë Samuel Zhbogar, shef i Zyrës së BE-së në Maqedoni.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se duhet pranuar që kufijtë asnjëherë nuk ka qenë më temë se sa sot, më të debatueshëm e të diskutueshëm jo vetëm në Ballkan por edhe kudo në Evropë e më gjerë.

“Po mundësojmë komunikim e shkëmbim më të madh mes njerëzve e mallrave, mes qytetarëve e shoqërive tona, mbi të gjitha për banorët e zonave, për shqiptarët e të dyja anëve të cilët historikisht kanë lidhje miqësie e gjaku me njëri-tjetrin. Atyre u janë dashur 160 kilometra rrugë për të vizituar të afërmit dhe miqtë e tyre që nuk i kanë më shumë se 30 kilometra larg përmes kësaj pike të re. Prandaj në muajt në vazhdim, kjo zonë e madhe do të merr kuptim dhe dimension të ri, mbi të gjitha mes njerëzve,  mes komunave të Gjilanit, Likovës e Kumanovës, e më gjerë”, ka deklaruar ai.

Ai ka falënderuar qeverinë e Maqedonisë, kryeministrin Zaev dhe kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin për gjithë angazhimin që kjo çështje e stërzgjatur të përmbyllet me sukses.

“Jam këtu për të falënderuar të gjithë që u angazhuan që nga fillimi që ky projekt të jetësohet, dhe nuk mund ta fsheh e ta them hapur që u rikthye në agjendë një projekt tashmë dukej gati i pamundur për shkak të zvarritjeve të pakuptimta për 5 vjet. Dhe për këtë ka një numër njerëzish me merita që ne sot po e jetësojmë kërkesën dhe pritjen e shumë qytetarëve. Por, që kjo ide e lindur mes dy shteteve tona vite më parë nuk do të arrinte ku është sot afër realizimit pa ndihmën e Bashkimit Evropian. Prandaj, i falënderoi të dy përfaqësuesit e BE-së në Prishtinë dhe Shkup për përkrahjen dhe financimin në ndërtimin e njërës prej pikave më moderne sipas modelit IBM në Ballkan që do të kushtoj 1 milionë e 200 mijë euro”.

Sipas Hoxhajt fillimi i ndërtimit të kësaj pike të re kufitare nuk e ka vetëm simbolikën e komunikimit, qarkullimit dhe të ndërveprimit mes njerëzve  por, do të shërbejë si një urëlidhje e mirë për zhvillim ekonomik, për shkëmbime më të mëdha të produkteve e mallrave.

Derisa faturën me mbi një milion euro për ndërtimin e objekteve kufitare do ta paguajë Bashkim Evropian, dy qeverive u mbetet t’i kryejnë obligimet e tjera, sikurse rruga, e investime të tjera.

Kjo pikë është ndërtuar në konceptin e menaxhuar të kufirit, me një pikë të përbashkët kufitare.

Faza e parë përfshin udhëtarët dhe automjetet dhe në të ardhmen e afërt do të ketë mundësi edhe për transportin e mallrave.