Koronavirus/ Italia kërkon ndihmën e BE-së, Salvini kërkon që Evropa të shpallet “zonë e kuqe”

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk duhet të nxjerrë pengesa, përkundrazi duhet të ndihmojë vendin e tij i cili po kalon një situatë të vështirë

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk duhet të nxjerrë pengesa, përkundrazi duhet të ndihmojë vendin e tij i cili po kalon një situatë të vështirë për shkak të koronavirusit të ri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mattarella në një deklaratë me shkrim ka përmendur pritshmëritë e Italisë nga BE-ja.

“Përvoja e Italisë kundër përhapjes së Covid-19 me shumë mundësi do të jetë e dobishme për të gjitha vendet e BE-së. Për këtë arsye, me të drejtë presim që të paktën të mos pengohen nismat e solidaritetit në kuadër të interesit të përbashkët”, tha Mattarella duke vënë theksin se Italia po kalon në një situatë të vështirë.

Siç raporton Rai News24, deklarata e Mattarella-s ka ardhur pasi shefja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) Christine Lagarde tha se nuk është detyrë e BQE-së për të ulur interesin e bonove qeveritare 10 vjeçare të Italisë.

Ndërkohë qeveria italiane e cila po kalon ditë të vështira për shkak të koronavirusit, njoftoi ndarjen e një burimi prej 25 miliardë eurosh në luftën kundër kësaj krize. Për shkak të kësaj krize, Italia kërkon nga BE-ja feksibilitet buxheti.

Numri i të vdekurve nga epidemia e koronavirusit që shpërtheu tre javë më parë në Itali ka arritur në 1.016, ndërsa numri i të prekurve në 15.113 persona.

 

“Sa më parë të mbyllet Shengen aq më mirë është”, kjo ka qenë deklarata e fortë e bërë sot nga lideri i Partisë opozitare në Itali Matteo Salvni.

“Çdo ditë e humbur, sjell të vdekur më shumë, sa më shpejt të mbyllet lëvizja Shengen aq më shumë kujdes do kemi në kufijtë. Duhet anuluar Traktati Schengen”, tha ai.

Matteo Salvini ndër të tjera është shprehur gjithashtu se Partia e tij është përgjegjëse e bashkëpunëtore me qeverinë por nuk do pranojë të bëhet bashkëfajtore në një situatë të tillë që po i del nga duart qeverisë.

“Kapërcimi i mbi 100 viktimave e bën situatën tragjike”, tha ai.

Ndërsa ministrja e Brendshme italiane Luciana Lamorgese ka deklaruar sot se “nëse do jetë e nevojshme, jemi gati për zgjedhje më kurajoze me masa më të forta ndaj atyre që nuk respektojnë urdhrin e qeverisë”.

Ndërkohë numri i të vdekurve në Itali sa vjen e rritet. Deri më tani janë shënuar 1.016 të vdekur dhe mijëra të tjerë të infektuar.