Konsullata saudite në Stamboll nën mbikëqyrje policore dhe të gazetarëve

Ekipet mediatike mëngjesin e sotëm janë vendosur para konsullatës, e cila ndodhet në një mbikëqyrje maksimale policore

Ekipe të shumta gazetarësh vazhdojnë të qëndrojnë para Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll, në pritje të ndonjë informacioni për fatin e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili që nga data 2 tetor, atëherë kur hyri në konsullatë, llogaritet një person i zhdukur, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekipet mediatike mëngjesin e sotëm janë vendosur para konsullatës, e cila ndodhet në një mbikëqyrje maksimale policore.

Gazetari dhe kolumnisti i gazetës “The Washington Post”, Khashoggi, u zhduk më 2 tetor, pasi kishte hyrë në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. Ai ishte i njohur si kritikues i politikave që udhëheq qeveria aktuale saudite.

Në Turqi ka nisur një hetim mbi zhdukjen e tij, ndërsa raportuesi i agjencisë Reuters, tha më herët se Khashoggi është vrarë brenda në konsullatë, pas disa ditë ku u mbajt peng. Të njëjtat pohime i bëri edhe lidhja e mediave turko-arabe, e cila madje thotë se ka prova për të dëshmuar pohimin e tyre.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, deklaroi të shtunën se Turqia dhe Arabia Saudite kanë marrë një vendim për themelimin e një grupi të përbashkët pune, i cili do të punojë për zbardhjen e rastit Khashoggi.