Koalicion i madh PD-PS pas zgjedhjeve?! Basha: Propagandë e Rilindjes!

Kryeopozitari: Edhe socialistët e thjeshtë duan ndryshimin...

Kreu i PD-së Lulziim Basha, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24” , u pyet nëse ekziston mundësia që Partia Demokratike dhe PS të bëjnë koalicion pas zgjedhjeve.

Basha u shpreh se kjo është propagandë e PS-së, duke shtuar se të gjithë shqiptarët duan ndryshimin më 25 prill, duke përfshirë edhe socialistët e thjeshtë.

Nisida Tufa: Po flisnim për ekipin e tij, për sfidat që ka vetë kryetari i Partisë Demokratike. Ju vetë ku do të garoni, zoti Basha?

Lulzim Basha: Do të garoj në qytetin e Tiranës.

Nisda Tufa: Në Tiranë.

Lulzim Basha: Ky qytet më ka besuar për herë të parë përfaqësimin si deputet. Më ka besuar drejtimin si kryebashkiak dhe unë do të garojë në qytetin e Tiranës. Jo nuk do të garoj në asnjë qark tjetër. Çdo qark do të ketë deputetët e vet dhe drejtuesit e vet.

Nisda Tufa: Dhe e gjithë fushata, e gjithë vëmendja besoj sikurse është edhe ekipi juaj ka në mënyrë paralele kudo, për Tiranën do të jetë edhe më tej për ju.

Lulzim Basha: Padiskutim që po! Megjithëse si kryetar i partisë dhe si kandidati për kryeministër, i opozitës së bashkuar, unë do të bëj fushatë në të gjithë vendin, padiskutim.

Nisida Tufa: Zoti Basha, është lakuar shumë, ka zëra për një koalicion të madh pas zgjedhjeve, Partia Socialiste, Partia Demokratike, cili është komenti juaj në lidhje me këtë?

Lulzim Basha: Kjo është propagandë e Partisë Socialiste e që tregon, e Edi Ramës, që tregon se sa të dëshpëruar, me qëllim për të motivuar bazën e pamotivuar seocialiste e që ndihet po kaq e tradhtuar si shumica dërmuese e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim. Shikoni, kur shohin 80% apo 82% apo 85%, varësisht nga sondazhet e ndryshme që botohen dhe që duan ndryshimin, padiskutim në këtë përqindje të madhe ka dhe shumë socialistë, të cilët janë të neveritur jo thjeshtë sepse janë lënë jashtë tepsisë së pushtetit, por sepse partia tek e cila kanë besuar dhe kanë investuar apo më mirë të themi kupola e kësaj partie ka braktisur vendin, ka braktisur shqiptarët.

Dhe në këtë mënyrë ka vështirësuar shanset dhe mundësitë edhe për ta dhe për familjet e tyre. Pra, është fare e qartë se shumica dërmuese e shqiptarëve duan ndryshim dhe këtu përfshihen edhe socialistët e thjeshtë. Tani më thoni, një kryeministër i dështuar si ky, i cili nuk arrin dot të përmend një sukses në 8 vite, i cili ka frikë ta pyesësh ku i ke 300 mijë vendet e punës dhe ndërron temën apo tregon letra fallco formalizimi, i cili ta pyesësh ku e ke shëndetësinë falas, rekordi i vetëm është Tirja apo ai skandali tjetër i vjedhjes të kartave të kreditit, ndërkohë që shqiptarët paguajnë më shumë për shëndetësinë nga xhepat e tyre sesa shumica e vendeve të tjera të rajonit.

Ta pyesësh ku i ke legalizimet falas, ke vetëm fatkeqësi të tilla si shembje të paligjshme të banesave, ke qindra e mijëra njerëz të cilët paguajnë ryshfetet të majme dhe prapë nuk ja dalin dot të marrin çertifikatën e legalizimit. Por dështimet më të mëdha janë ato me të cilat përballet shqiptari dhe shqiptarja dhe familjet shqiptare përditë. 97% tha nuk do të paguajnë taksa. Duke nisur nga ju këtu në studio paguani shumë më shumë taksa se sa para se të vinte Edi Rama në pushtet. Çmimet do të ulen për shportën ushqimore. 40% më shumë bëjnë gjërat baze, buka, sheqeri, vaji, gjërat bazë për shqiptarët. Këto janë punët e Edi Ramës, këto janë arritjet e Edi Ramës dhe në këto kushte pa pikë diskutimi vjen në këtë fushatë pa një bilanc në fakt me një bilanc të tmerrshëm negativ dhe me çfarë narrativi do të vijë? Me çfarë premtimesh pasi ke premtuar 2 herë dhe s’ke bërë asnjë gjë? Pikërisht në këtë kuadër dua ta lexoni edhe propagandën e përsëritur.

Nisida Tufa: Pra nuk ka gjasa që të ndodhë një koalicion?

Lulzim Basha: Në mënyrën më absolute 25 Prilli do të jetë ditë e një ndryshimi të madh dhe ky është verdikt, kjo është aspiratë e shumicës dërmuese të shqiptarëve. Sfida jonë është që këtij ndryshimi të madh, këtij votëbesimi të madh që do të derdhet në kutitë e votimit në 25 Prill ti paraprijmë me një program që jo vetëm të realizojë ndryshimin por të tejkalojë pritshmëritë e çdo shqiptari.

Dhe për këtë punoj sot unë. Sot që jemi këtu të ulur ne kemi vendosur lidhje me korporatat më të fuqishme Europiane dhe Amerikane për të shpalosur programin tonë, për ti thënë shiko mendojeni edhe një herë, atë fabrikë mos e ço në Mal të Zi apo në Maqedoni sepse këtu do të keni këtë paketë. Paketë fiskale, paketë infrastrukture, paketë trajnimi për rininë, ku qeveria shqiptare nesër nuk do t’ia japi lekët 4-5 oligarkëve për të bërë gjoja punë, por do të shpenzojë pikërisht për të sjellë këta investitorë të huaj, për të trajnuar krahun punëtor, për të trajnuar rininë shqiptare që të fillojë të punojë në Shqipëri me paga dinjitoze.

Nisida Tufa: Pra nuk do të ketë më oligarkë zoti Basha?

Lulzim Basha: Ky është fillimi, ky është fillimi i atij objektivi që kam shpallur shtresa e mesme. Çfarë do të thotë shtresë e mesme? Për mua do të thotë që të ardhurat të arrijnë të paktën në 1 milion lekë të vjetra në muaj. Dhe këto janë të ardhura që sot i marrin edhe qytetarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, ku këto investime shkojnë në Maqedoninë e Veriut ndërsa këtu 10 herë më pak në 8 vite, dhe ato që kanë qenë po largohen. Pse? Sepse gjithçka është në duart e një grushti njerëzish. Për shembull, po marr një shembull fare konkret, një nga investitorët më serioz në fushën e porteve është porti i Hamburgut.

U largua nga porti i Durrësit për një marrëveshje që akoma nuk e dimë çfarë është po ka të njëjtën aromë si ajo e para zgjedhjeve të 2017 ku u tha që do vihen e do bëhen kulla, e do hapen 250 mijë vende pune në Tiranë. Sa vende pune në Tiranë u hapën pas këtij premtimi? E se e keqja kur bëhen kaq shumë premtime e shpërthejnë kaq shumë skandale e keqja është që njerëzit harrojnë. Le tua kujtojmë pak shqiptarëve, në 2017-ën erdhën dhe thanë do bëjmë një kullë haptoëer, do hapen mijëra vende pune. Ku është kulla? Ku janë vendet e punës? Nuk ka, e njëjta gjë po ndodh sot me gënjeshtrat që po bëjnë për portin e Durrësit, ndërkohë që investitorët seriozë po përzihen nga vendi, kësaj do ti japim fund dhe kjo është plotësisht e mundur, me një qeveri që vendos njerëzit të parët dhe jo xhepat e vet.