KE dhe OSBE kritika paketës “antishpifje”, kërkojnë rishikimin e draftit

Përfaqësuesit e Komisionit Europian dhe OSBE-së në vendin tonë shprehen kundër disa pjesëve të paketës ‘antishpifje’ të propozuar nga qeveria.

Përfaqësuesit e Komisionit Europian dhe OSBE-së në vendin tonë shprehen kundër disa pjesëve të paketës ‘antishpifje’ të propozuar nga qeveria.

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesja e OSBE u shpreh se drafti ka ndryshuar disa herë pas miratimit nga OSBE, dhe ende nuk dihet se cili është drafti përfundimtar.

Sipas saj, ndryshimet mund të cenojnë thelbin e draftit. Ndërsa për eksperten e Komisionit Evropian, projektligji i propozuar nuk i trajton njësoj të gjitha llojet e mediave.

Njëzëri të gjithë ekspertët e huaj të thirrur në këtë komision u shprehën kundër kompetencave që ky ligj i jep Autoritetit të Mediave Audiovizive, raporton Euronews.

Nënkryetari i AMA-s, Sami Neza, në një intervistë për Euronews Albania shprehet se paketa ‘antishpifje’ ndikon në përmbajtjen dhe pavarësinë e medias. Sipas tij, situata në median online duhet të ndryshojë përmes parimit të vetërregullimit.

“Proceduralisht, kjo është një kërkesë e Kuvendit për të dhënë një opinioni nga AMA si një prej përbërësve të grupit të interesit që lidhet me këtë ligj. Në fakt, AMA lidhet shumë më tepër se të tjerët, pasi projektligji e ngarkon atë për ta implementuar.

Arsyet kryesore pse shumica e bordit të AMA-s votoi kundër lidhet kryesisht me problemet e lirisë së mediave; së pari është shmangur parimi i vetërregullimit të mediave. Praktikë e vendeve me demokraci të zhvilluar ka qenë që mediat e shkruara, ku përfshihen edhe ato online, vetërregullohen dhe sfidat me të cilat ato përballen zgjidhen brenda tregut, pa u futur aktorë të pushteteve të tjera”, – tha Neza për Euronews Albania.

Dy projektligjet e “paketës antishpifje” e vendosin median në internet nën politikat e Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP si dhe e ekspozojnë atë ndaj gjobave të dyfishta.

Ky është drafti i dytë i këtyre projektligjeve, të cilat u kundërshtuan ashpër edhe më herët gjatë këtij viti kur nisi të qarkullonte varianti i tyre i parë.

Besar Likmeta, kryeredaktor i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri, BIRN e cilëson këtë projektligj një hap të rrezikshëm që e kthen vendin pas dhe e çon drejt censurës.

Sipas tij, nisma e qeverisë shqiptare kundërshtohet jo vetëm nga organizata vendase, por edhe të huaja të cilat i kanë kërkuar Kryeministrit dhe Parlamentit që të mos e votojnë projektligjin e shumëpërfolur.

“Rregullim të informacionit ka nevojë edhe në televizion, edhe në qeveri, jetojmë në një botë të informacionit. Ajo që mund të themi është se ndryshe nga politikanët, të cilët nuk po bëjnë asnjë përpjekje për t’u vetërregulluar në mënyrën se si i shpërndajnë lajmet e rreme, ne vazhdojmë të mendojmë se vetërregullimi është më i mirë se sa kontrolli administrativ nga një ent qeveritar, që do të çojë tek censura”, – tha Likmeta i ftuar në ‘Good Morning Albanians’.