Kazakistan, 1.5 milionë banorë njëkohësisht shkruan në alfabetin latin

"Nuk ishte vështirë të shkruaj në shkrimin latin pasi di gjuhën angleze. Periudhën e ardhshme do të kemi edhe më shumë aktivitete të tilla", tha ministri Muhamediuli

Pasi presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev në fund të vitit të kaluar nënshkroi vendimin me të cilin ky vend nga shkrimi cirilik kalon në atë latin, sot rreth 1.5 milionë banorë të këtij vendi në të njëjtën kohë shkruan në shkrimin latin, raporton Anadolu Agency (AA).

Bëhet fjalë për një aksion që e organizoi Ministria e Kulturës dhe Sportit e Kazakistanit ndërsa në kuadër të së cilës shumë kazakë mbushën bibliotekat dhe institucionet tjera arsimore, ku është lëshuar audio-incizim i një teksti të cilin e bartën në letër, por për herë të parë në shkrimin latin.

Në aksion u përfshi edhe ministri i Kulturës dhe Sportit, Aristanbek Muhamediuli, si dhe shumë letrarë, sportistë dhe artistë të vendit.

Bëhet fjalë për tekstin me titull “Ripërtëritja shpirtërore”, i cili përbëhet prej 80 fjalëve, për shkrimin e të cilit u ndanë 30 minuta.

Ministri Muhamediuli u tha gazetarëve se kazakët gjatë historisë së tyre përdorën alfabetin arab, cirilik dhe latin.

“Në atë kohë, të tjerët vendosën për ne, pasi arritëm sovranitetin tonë, si popull i Kazakistanit, vendosëm të kalonim në latinisht”, tha Muhamediuli dhe kujtoi se presidenti i Kazakistanit Nazarbayev bëri një vendim historik vitin e kaluar për këtë vend.

“Nuk ishte vështirë të shkruaj në shkrimin latin pasi di gjuhën angleze. Periudhën e ardhshme do të kemi edhe më shumë aktivitete të tilla me qëllim që populli të mësohet me shkrimin latin”, tha ai.