Kallëzimi i parë në SPAK për zyrtarët e lartë

“Nisma Thurrje” kërkon të hetohet koncesionari i sterilizimit

Pak ditë pasi SPAK (Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion që do të hetojë zyrtarët e lartë dhe krimin e organizuar) nisi zyrtarisht punën, në adresë të saj ka mbërritur edhe kallëzimi i parë.

Ky kallëzim është bërë nga “Nisma Thurrje”, e cila kërkon të hetohet koncesionari i sterilizimit.

Përfaqësues të “Nismës Thurrje”, pasi dorëzuan kallëzimin në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, thanë për gazetarët se kanë besim tek institucionet e reja të drejtësisë dhe kërkojnë që të zbardhen dyshimet e tyre për korrupsion në këtë koncesion.

“Ne besojmë te institucionet e reja të drejtësisë. Kemi ardhur për t’i kërkuar Prokurorisë së Posaçme që ta justifikojë besimin tonë”.

Ata renditën edhe disa arsye përse mendojnë që ky koncesion duhet të hetohet.

“Kemi pyetjen pse është i nevojshëm ky koncesion? E dyta, pse një çmim kaq i lartë? E treta, ngremë dyshime pse ky shërbim duhet dhënë me koncesion 10-vjeçar? Pse është hartuar një kontratë që krijon dyshime që e vendos shtetin shqiptar në një pozicion të disavantazhuar? Ne duam përgjigje për këto dhe besojmë që Prokuroria e Posaçme ka më shumë mundësi se Prokuroria e Tiranës. Kemi 30 vjet që shikojmë që këtu arrestohen qytetarë shqiptarë se nuk ka vendosur rripin e sigurimit, ndërkohë që të gjitha ata që kanë qenë 30 vjet në pushtet vetëm pasurohen. Mendojmë se i ka ardhur fundi kësaj farse. Ne kërkojmë nga Prokuroria e Posaçme t’i shkojë në fund kësaj çështje, të zbardhet”, deklaruan përfaqësuesit e “Nisma Thurrje”, të cilët paralajmëruan edhe për kallëzime të tjera. /tvklan.al