Në Kalanë e Ulqinit këtë fundjavë në kuadër të Festivalit “Skena Verore Ulqini 2018-të” do të mbahet edicioni i 26-të i “ Kalimerës Poetike”, që nga ky vit do të mbajë emrin e poetit dhe studiuesit nga Ulqini Basri Çapriqi i cili para ca muajsh u nda nga jeta.
Mbrëmja e parë pikërisht do të jetë mbrëmje homazhi kushtuar veprimtarisë së poetit Çapriqi. Për opusin e tij krijues do të flasë akademiku Ali Aliu – studiues i letërsisë, Haxhi Shabani dhe Sadik Bejko. Mbrëmja e dytë e Kalimerës Poetike do të jetë takimi me poeten dhe skenaristen nga Shqipëria Natasha Lako, ku për krijimtarinë e saj do te flasë studiuesi i letërsisë Arian Leka. Ndërkaq mbrëmja autoriale për poetin Selajdin Saliu do te mbyllë Kalimerën poetike të vitin 2018-të në Ulqin./TRT