Kalçifikimi i paragjykimit, vjen nga ndryshkja e mosnjohjes

Nga Redi Shehu

Kalçifikimi i paragjykimit, vjen nga ndryshkja e mosnjohjes

Nga Redi Shehu

Në një situatë ku gjeopolitika dhe boshtet e fuqisë sot, janë më fluide dhe më të paparashikueshme se kurrë, ku fuqi të reja po ngrihen dhe të vjetra po vyshken, ku pandemia dhe efektet ekonomike po gjunjëzojnë gjigandët e globit, pështjellimi i mediave dhe i audiencave mbi realitetet e reja, sa vjen e bëhet më i madh dhe me i fuqishëm. Sot, nuk mjafton vetëm të flasësh për këto realitete, sot ato i kupton vetëm pasi t’i prekësh dhe t’ua ndjesh pulsin e tyre, që rreh aty në përditshmërinë urbane të qëndrave respektive. E pabesueshme do ishte një vizitë në këto qëndra të reja pikërisht në kohën kur virusi po ul kokat e të mëdhenjve, por ama i vërtetë fakti që jeta vazhdon edhe përtej vështirësisë dhe pengesës të quajtur Covid 19. Në këtë klimë jo të zakonshme, në këtë normalitetin e ri me të cilin bota sot po përshtatet, e gjej veten së bashku me kolegë gazetarë dhe analistë nga Evropa dhe vende të tjera të botës, në një tur hulumtues kulturor, mbi këtë fuqi të re të quajtur Turqi. “Strumbullar” i gjithë kësaj inciative ishte Agjensia për Promovimin dhe Zhvillimin e Turizmit Turk, pjesë e Ministrisë së Kulturës së Turqisë, e cila duke shfrytëzuar eventet e panumërta kulturore që ky vend ka, ofroi një “hapje perdeje” ndaj skepticizmit apo para gjykimit që një pjesë e jona (profesionistëve të mediave) kanë sot kudo në botë rreth realiteteve të kësaj fuqie të re.

Çështja e hegjemonisë kulturore, ku bota gjithmonë është parë vetëm nga njëri këndvështrim, kryesisht vetëm nga ai i më të fortit dhe më të fuqishmit, është një mesele e vjetër që në kohën kur media u shfaq si ndërlidhëse mes individit dhe përceptimeve të tija. Etnocentrizmi që ka karakterizuar gjithmonë këtë hegjemoni mediatike e pasuar nga një armatë gazetarësh e analistësh, editorialistësh dhe drejtorë informacioni, ka përbërë thelbin e ndërtimit të lajmit ku burim i tij ka qenë gjithmonë ajo që ndodh vetëm në qëndrat e mëdha të superfuqisë botërore, ndërkohë që pjesa tjetër e njerëzimit, është lënë në kënde lajmesh që kryesisht përkufizojnë, problematikën, krimin, varfërinë si dhe antivlerat. Një soj kolonizimi i ri mediatik i cili përpunon dhe ndërton skema të të menduari dhe përceptuari të audiencave të gatshme për të ndërtuar atë humnerën e madhe kulturore mes civilizimeve. Pikërisht, shkëmbimi mes gazetaresh dhe analistesh te medias me realitete te reja, është forma me duhur per te njohur dhe kuptuar “tjetrin” si tipologji te ndërtuar nga media. Pra, këto vizita, këto shkëmbime mendimesh, marrje e përgjigjeve të shumë pyetjeve dhe dyshimeve të ngritura, janë ajo diplomacia kulturore e cila aq shumë na duhet sot në kohën kur, fryrësit e zjarrit të përplasjes së qytetërimeve janë në ballë të konfliktit dhe kundërshtisë.

Në Turqi, përgjigjet e pyetjeve tona ishin prezente kudo dhe dyshimet e skepticizmi që mund të dukej në fytyrat e kolegëve gazetarë, u vanit përgjatë ditëve të vizitës. Fusha më me interes e pyetjeve tona ishte ajo lidhur me lirinë e mediave në këtë vend. Shtypi dhe media botërore jo rrallë kanë protretizuar aktualitetin e lirisë së mediave në Turqi në kufinjtë e diktaturës, dhe kureshtja jonë u shua nga fakte për të cilat çuditërisht lihen të pa evidentuara. Nga pesë mediat më të mëdha të Turqisë katër prej tyre janë opozitare të forta me maxhorancën aktuale të udhëhequr nga AKP. Haber Turk, Bloomberg, Fox, Show TV, janë më të ndjekurat atje dhe që të katërta janë media opozitare. Vetem TRT Haber si kanal i madh i djekur është pro qeveritar. Listës së kanaleve televizive opozitare me qeverinë aktuale i bashkohen edhe Halk TV, Kanal D, Olay Tv si dhe gazeta të mëdha si Sozcu, Cumhuriyet, Karar, Bir Gun etj. Një mjedis opozitar mediatik si ingranazh i fuqishëm i cili garanton që mendimi i kundërt të arrijë ndërgjegjen qytetare. Edhe pse kanale si A Haber, Tv Net, 24 Tv, Akit TV, TvNet etj, janë media mbështetëse të qeverisë së AKP, përsëri ato nuk kishin fuqinë dhe madhesinë e mediave opozitare. Pra, nëse një media është transparente me shikuesit e vendit të vet rreth mendimit ndryshe dhe indetitetit, pozicionit, ideologjisë dhe traditës së audiencës së saj, atëhere ajo ka kryer një nga detyrat më të rëndësishme për forcimin e lirisë së shprehjes. Vetëm në këtë mjedis arrin të kuptosh se një sistemi politik të tillë si ai i Turqisē, mund të garantojë fitore të opozitës në qytetet më të mëdha të veta, pikërisht nga qarkullimi i mendimit dhe ideve në mediave te lira nga presioni i pushtetit. Miti i shkatërrimit të lirisë së shtypit e mediave në këtë vend, është më i fortë në përceptimet e audiencës botërore se sa në realitetet e përditshme turke. Miti i diktatorit i ngritur në kult nga hegjemonia kulturore dhe mediatike e vendeve të fuqishme, lidhur me Presidentit e Turqisë, dekonstruktohet nga këto të dhëna dhe nga këto rezultate.

Ashtu si pluraliteti i mendimit mediatik gjallon përditë në përceptimin e audiencave turke, edhe pluraliteti i mendimit politik është në të njëjtën shkallë. Diskutimet në parlamentin turk mes opozitës dhe maxhorancës, i kalojnë caqet e debateve shpesh formale të shumë vendeve. Tempi, grinta dhe argumenti i sjellë nga parititë opozitare dhe përballja me argumentet e maxhorancës, e bëjnë jetën parlamentare të Turqisë jo më pak të vlefshme dhe dinjitoze se sa parlamentet e demokracive të vjetra perëndimore. Sistemi politik i cili gjallon atje, parandalon çdo abuzim të mundshëm që presidenti i vendit mund të bënte në rastin kur ai në mënyrë hipotetike do të donte ta shpërndante parlamentin. Sipas kushtetutës së re turke, nëse presidenti vendos ta bëjë një gjë të tillë, atëhere automatikisht edhe afati i postit të presidentit mbaronte, pra, një ”përfundim i përbashkët” i të dyja funksioneve parlamentit dhe presidentit. Ky model parandalon abuzimin me fuqinë e presidentit dhe në rast konflikti mes ketyre dy institucioneve, anon më shumë nga zgjidhja me dialog e krizave se sa nga ushtrimi i fuqisë në një republikë presidenciale. Thelbi kushtetues i saj ka për qëllim mbrojtjen nga rrëshqitja e vendit drejt abuzimit me fuqinë, dhe shmangien e çfarëdolloj diktature.

Në një vend ku çdo kilometer katror është një ngjarje historike, ku civilizime të lashta janë zbuluar në formën e qyteteve dhe qëndrave urbane deri në nëntë mijë vite me parë, ku Unesco është prezente kudo, ku muzetë, qëndrat kulturore, zbulimet arkeologjike, ndërtimet, kalatë, xhamitë, universitetet, shkollat, hamamet dhe një pafundësi veprash arti publike, është e pamundur që ana e errët e globit të konsistojë pikërisht aty.

Një vend ku spiritualiteti dhe arti kulinar bashkohen në një ekstazë shpirtërore, ku ngjyrat, arkitektura dhe historia parakalojnë njëra-tjetrën në formë të përsëritur, është e vështirë të prodhohen mite të rreme. Kalçifikimi i paragjykimit vjen nga ndryshkja e mosnjohjes. Injoranca është aleati më i madh i ndërtimit të armikut imagjinar, i “tjetrit” të rrezikshëm. Urat dhe komunikimet ndërkulturore kane qenë dhe vazhdojnë të jenë diplomacia më e shëndetshme dhe metoda më e mirë për të shembur paragjykime dhe ndërtuar aleanca.