Kadri Veseli: Seancat për temën e ndarjes nuk i bëjnë fuqi Kosovës

Veseli tha se Kosovës i duhet konsensusi nacional për ballafaqim me Serbinë e jo ndarje mes vete dhe përfitime elektorale

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i partisë në pozitë, Partia Damokratike e Kosovës (PDK) Kadri Veseli tha se “seancat e jashtëzakonshme për temën e ndarjes nuk i bëjnë fuqi Kosovës, por në të kundërtën i ndihmojnë ata të cilët janë kundër Kosovës”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Veseli sot mbajti një konferencë për media ku shprehu qëndrimin e partisë së tij, PDK-së në lidhje me thirrjen e seancës së jashtëzakonshme nga opozita me temën “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për ndarje të Kosovës e thirrur nga opozita është dëmi më i madh që i shkaktohet Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran si dhe partneritetit të Kosovës me Bashkësinë Ndërkombëtare. Legjitimimi i temës së ndarjes në institucionin e Kuvendit pa fakte, pa argumente është inskenim i lojës e cila është për ne e papranueshme për ndarje, që është skenar jashtë interesave të qytetarëve tanë të Republikës së Kosovës dhe partnerëve tanë të SHBA-ve dhe BE-së”, tha Veseli.

Duke shprehur qëndrimin e PDK-së se “ngritja e kësaj teme të rrezikshme në diskursin e brendshëm politik do të dëmtojë Kosovën në procesin e dialogut”, Veseli tha se Kosovës i duhet konsensusi nacional për ballafaqim me Serbinë e jo ndarje mes vete dhe përfitime elektorale.

“Seancat e jashtëzakonshme për temën e ndarjes nuk i bëjnë fuqi Kosovës, por në të kundërtën i ndihmojnë ata të cilët janë kundër Kosovës në rend të parë na dobësojnë neve në ballafaqimin me Serbinë dhe krijojnë panikë dhe pasiguri te qytetarët”, tha ai.

Duke vënë në dukje se integriteti territorial i Kosovës është i shenjtë dhe e pacenuar, Veseli vuri në dukje se asociacioni i komunave serbe nuk do të pranohet me kompetenca ekzekutive.

Kujtojmë se ditë më parë grupet parlamentare të partive opozitare dorëzuan kërkesën për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës në lidhje me përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në lidhje me arsyen e mbajtjes së kësaj seance, në kërkesë thuhet se “Ka një kohë që presidenti i Kosovës ka shfaqur publikisht angazhimin e tij që në dialogun me Serbinë të përfshihet edhe tema e ‘shkëmbimit të territoreve’ që tani së fundi është definuar nga presidenti si ‘rishikim i kufijve’”, duke shtuar se “kjo qasje e presidentit është në kundërshtim me autorizimet e tij kushtetuese”.