Japoni, tigri vret rojen e kopshtit zoologjik

Menaxhmenti i kopshtit zoologjik tha se beson që Furusho u sulmua në momentet kur ka tentuar që kafshën ta zhvendosë nga kafazi ekspozues në atë të natës

Policia në jug të Japonisë sot njoftoi se është duke hetuar rastin ku tigri i bardhë ka vrarë rojen e kopshtit zoologjik, transmeton Anadolu Agency (AA).

Policia njoftoi se Akira Furusho u gjet të hënën në mbrëmje i shtrirë në dysheme duke gjakosur nga qafa në kafazin e tigrit të bardhë në Parkun Zoologjik Hirakawa në Kagoshima.

Menaxhmenti i kopshtit zoologjik tha se beson që Furusho u sulmua në momentet kur ka tentuar që kafshën ta zhvendosë nga kafazi ekspozues në atë të natës. Me peshë prej 170 kilogram ai është një nga 4 tigrat e rrallë të bardhë që ndodhet në kopshtin zoologjik të qytetit.

Furusho ndërroi jetë në spital. Rezultatet e autopsisë do të publikohen së shpejti. Policia thotë se askush nuk ka parë momentin e sulmit dhe se tigri është vënë në gjumë me pistoletë për gjumë. Ata thonë se janë duke hetuar nëse kopshti zoologjik ka vendosur masat e duhura të sigurisë.

Sipas mediave lokale, familja e të ndjerit Furusho, ka kërkuar nga kopshti zoologjik që të lënë tigrin të jetojë.