Itali, Kulla e Pizës tashmë më pak e pjerrët

Inxhinierët thonë se pjerrësia e kambanares së famshme toskane është ulur me 4 centimetra dhe është në një gjendje më të mirë strukturore sesa parashikonin

Kulla e pjerrët e Pizës nuk është tashmë aq e anueshme. Pas më shumë se dy dekadash për ta drejtuar, inxhinierët thonë se pjerrësia e kambanares së famshme toskane është ulur me 4 centimetra dhe është në një gjendje më të mirë strukturore sesa parashikoni.

Agjencia e lajmeve ANSA citoi Nunziante Sabia, konsultant i këshillit ndërkombëtar për mbikëqyrje të pjerrësisë, i cili theksoi se derisa rënia progresive e pjerrësisë është një lajm i mirë, mirëqenia e përgjithshme e strukturës së kullës është edhe më e rëndësishme.

Kulla, e ndërtuar në shekullin e 12-të, sërish u hap për publikun në vitin 2001, pasi më shumë se një dekadë ishte e mbyllur me qëllim që punëtorët të tentojnë të ulin pjerrësinë. Duke përdorur qindra ton kundërpesha në ultësirë dhe duke tërhequr tokën nën themelet në periudhën mes viteve 1990 dhe 2001, pjerrësia e kullës u zvogëlua për rreth 45 centimetra.

Monumenti mesjetar 57 metra i lartë ishte anuar me 4 centimetra në dy dekadat e shkuara, por tani gjithçka po ndryshon.

“Është sikur të jenë zbritur dy shekuj nga mosha e saj. Gjithsesi, më e rëndësishmja është stabiliteti i kullës, që tani është më i mirë nga sa prisnim”, tha profesor Salvatore Settis.

Në vitin 1990, monumenti i preferuar nga turistët u mbyll për publikun për të parën herë në 800 vite, në mesin e frikës se mund të rrëzohej. Një komitet ndërkombëtar punoi për ta stabilizuar atë mes viteve 1993-2001.

Tani që inxhinierët duket se më në fund mund të marrin meritat për shpëtimin e monumentit, vizitorët sërish mund të qëndrojnë të qetë se, kulla e famshme është ende e disponueshme për foto.