ISIS, fotoja e një qeni, dhe YPG

Nga Redi Shehu

Një konferencë për shtyp e Presidentit Trump, me gjithë pompozitetin e mundshëm, si dhe fotografia e një qeni, të cilit fatmirësisht nuk iu dekonspirua emri, ishin të mjaftueshme për të bërë publike lajmin se kreu famëkeq i ISIS, Abu Bekër al Bagdadti kishte vdekur tashmë. Një lajm i mirë, një lajm i vonuar dhe një lajm që do të ishte akoma  më i mirë nëse ai do të kapej i gjallë për të dhënë llogari për gjithçka u ka bërë myslimanë dhe gjithë  botës mbarë. Do të ishte më mirë për të treguar se kush ishin ata që e ndihmuan dhe përkrahën të ndërtonte një “shtet” me një hapësirë mes Irakut dhe Sirisë e cila ia kalonte përmasave të Britanisë së Madhe. Një “shtet” të terrorit dhe turpit, i cili nuk kishte popull, por u mbivendos ndaj popujve të tjerë duke terrorizuar vrarë e masakruar ato.

Presidenti Trump falenderoi Turqinë dhe Rusinë për ndihmën e dhënë në realizimn e këtij operacioni, i cili shënoi edhe fundin e një periudhe kohore e cila qe e mjafueshme për të ndërtuar aq shumë pretekste gjeopolitike, sa nuk mbeti fuqi e madhe u përfshirë në rajonin e Lindjes së Mesme. E krijuar nga Al-Kaeda e Irakut, që me Al-Zarkauin dhe më pas Al-Masrin, “Shteti Islamik i Irakut”, që me vonë me ardhjen në krye të Abu Bekër al-Bagdatit u quajt “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë”, ishte një përzierje e çuditshme tipologjish. Al-Bagdati, i cili mezi kishte mbaruar degën e gjuhë-letërsisë arabe në Bagdad, u arrestua nga forcat amerikane dhe pas burgosjes së tij u la i lirë në 2004. Në burg ai ra në kontakt me një ish-agjent sekret të partisë baathiste të Sadam Huseinit i bashkuar me Al-Kaedan, i cili e futi në rrjetin e ngushtë të titullarëve të lartë të Al-Kaedas. Me vrasjen e Al-Zarkauit dhe Al-Masrit më vonë, pushteti i ngeli Al-Bagdatit, i cili më pas me ndihmën e qindra oficerëve të ushtrisë irakene të liruar nga burgjet, ndihmuan të krijonin një grup të armatosur për të filluar atë që më vonë u bë e qartë prej të gjithëve.

Deri këtu është ajo që ne dimë rreth kësaj organizate, por se si arriti ajo të bëhej aq e fuqishme dhe aq e madhe me një shpejtësi të habitshme duke prishur kufijtë  Sykes-Piko të vendosura nga anglezët dhe francezët që pas Luftës së Parë Botërore, kjo ngelet një enigmë për të gjithë akoma sot e kësaj dite. Kufij që për hir të së vërtetës nuk u lejuan të prisheshin as nga ushtria e fortë e Sadamit në vitet ’90 teksa pushtonte  Kuvajtin. Prandaj, kapja e gjallë e Al-Bagdait do të ishte e dobishme për të mësuar rreth gjithë historisë së një prej belave më të mëdha që myslimanët mund të kenë pasur në kurrizin e tyre prej një kohe të gjatë.

Isis përfaqësoi preludin e gjithë asaj që do të ndodhte më vonë me përfshirjen e Rusisë, Iranit, Sh.B.A-ve, Francës, Anglise dhe më vonë vetë Turqisë në Siri. Mos të harrojmë se për shkak të përdorimit të armëve kimike ndaj popullsisë civile nga ana e diktatorit Asad, Presidenti Obama pati vendosur një linjë të kuqe e cila nëse do të shkelej përsëri do të përbënte ndërhyrjen e forcave të SH.B.A-ve  kundra regjimit në fjalë. Obama nuk e mbajti premtimin, vija e kuqe u shkel disa herë dhe regjimi i Asad vazhdoi i qetë rrugën e tij të gjenocidit. Po ashtu, me pretekstin e luftës ndaj Isis, Rusia forcoi pozicionin e saj në Siri dhe së bashku me Iranin u bënë ndihmësit kryesorë të fuqizimit të regjimit të Asad. Koston e gjithë kësaj duhej ta paguante askush tjetër përveç popullsisë civile gjysma e së cilës emigroi jashtë dhe qindra mijëra të tjerë u vranë e plagosën.

Por, zhvillimet më interesante u panë në pjesën e Sirisë Veriore, aty ku edhe lufta ndaj territoreve të pushtuara nga Isis u bë me ndihmën e formacioneve paramilitare të YPG-së,  degë e Partisë Komuniste të Kurdistanit ( PKK) me bazë në Turqi. Jo vetëm që Presidenti Obama nuk mbajti fjalën e dhënë për vijën e kuqe dhe tradhtoi miliona sirianë duke i lënë në fatin e masakrave të regjimit të Damaskut, por, zgjodhi edhe të mbështeste një organizatë terroriste të njohur ndërkombëtarisht nga e gjithë bota siç ishte YPG, kundër një organizate tjetër terroriste si Isis. Duke furnizuar me armët më të fundit YPG-në, administrata e Obamës, jo vetëm që po garantonte spastrimin e zonës nga Isis, por po lejonte një tjetër spastrim gjenocidal të bërë nga komunistët kurdë të YPG-së të cilët deportuan në qindra mijëra popullsinë arabe dhe turkmene të rajonit verior të Sirisë. Fatkeqësisht, nën hijen e ushtarëve amerikanë, kjo i dha forcë YPG-së (të transformuar në SDF duke ndërruar vetëm emrin por jo metodat) që të fillonte të proklamonte shtetin e ri të Kurdistanit të Sirisë si dhe duke ndërtuar një administratë autonome me një qeveri të vetëshpallur.

Ndodh rëndom gjithmonë që kur një problem të madh kërkon ta zgjidhësh përmes një problemi të madh, atëherë, zgjidhja vetë kthehet në problemin më të madh për t’u zgjidhur. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Gjithë ky zhvillim, me zhdukjen e një organizate terroriste  dhe lindjen dhe forcimin e një tjetre, do ta bënte Turqinë të reagonte e cila në kufirin e saj jugor tashmë po përballej më një shtet të vetëshpallur autonom të komunistëve kurdë, gjë që përbënte rrezikun më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e vetë Turqisë. Kjo organizatë në vitin 2015 u përball me denoncimet ndërkombëtare të “Amnesty International” dhe “Humah Right Watch” të cilët faktuan deportimet e popullsive të tëra arabe dhe turkmene nga veriu i Sirisë drejt Turqisë nga ana  YPG-së, si dhe shkatërrimet e fshatrave dhe qëndrave të banuara duke spastruar etnikisht zonën në emër të një shteti të ri kurd. E gjithë kjo nën mbikëqyrjen dhe mbështetjen e administratës Obama.

Në këtë pike, ndërhyrja turke përmes operacionit “Burimi Paqes” ishte e mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar si aprovim për ruajtjen dhe sigurinë e aleatit të NATO-s. Ajo që u pa gjatë ditëve të luftës, ishte fushata mediatike e cila e paraqiti konfliktin si konflikt etnik mes turqve dhe kurdëve. Kjo qasje, qëllimisht e gabuar, linte jashtë vëmendjes faktin se YPG nuk identifikohet me të gjithë kurdët, dhe se kurdë të shumtë ishin bashkuar forcave turke gjatë operacionit ushtarak. Po ashtu, kurdë të Irakut të Veriut rregullisht kanë bashkëpunuar me turqit kundër PKK-së, dhe me mijëra kurdë ndodheshin në kampet e refugjatëve në Turqi të deportuar nga terrori i YPG-së.

Forca e mediave nuk ka qenë kurrë në atë që ata transmetojnë, por në atë çka ata fshehin.  Në fakt që në vitin 2009 kur qeveria e AK Partisë, ishte iniciatorë e procesit të stabilizimit me popullsinë kurde të Tuqisë, duke i ofruar atyre shanse te barabarta në arsim, në autonominë lokale, në zyrtarizimin e gjuhës kurde, në përfaqësimin në parlament si dhe duke i ofruar një amnisti të përgjithshme atyre, ajo (AK Parti)  rrëzoi kartën e vetme me të cilën PKK mbante gjallë konfliktin. Pas kësaj, këtyre të fundit, nuk u mbetej më motiv për të vazhduar konfliktin. Për këtë arsye ata panë situatën në Sirinë e Veriut si një komardare për të realizuar qëllimet e tyre.

Ngritja dhe rënia e Isis, shënoi një epokë të re të ndarjes së tortës gjeopolitke me anë të mjeteve makabre. Kjo organizatë duhet studiuar deri në detaje, në mënyrë që të mos lejohet të përsëritet më. Si çdo e keqe që vjen në këtë botë, ajo pati edhe anët e veta të mira të cilat lidhen me rikonfigurime, me riqëndrime, me mobilizime dhe mbi të gjitha me rindërgjegjësime për qëndrime më të kujdesshme dhe koherentë lidhur me atë se çfarë ndodh përditë rrotull nesh.