Irak, 7 të vrarë nga forcat e sigurisë gjatë protestave

Demonstruesit e pakënaqur me shërbimet publike dolën në rrugë, por u përballën me një ndërhyrje të ashpër nga forcat e sigurisë, ku të paktën shtatë persona u vranë

Të paktën shtatë persona u vranë kur forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj demonstruesve gjatë protestave në qytetin jugor Basra të Irakut, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve lokale, demonstruesit e pakënaqur me shërbimet publike në qytet dolën në rrugë, por u përballën me një ndërhyrje të ashpër nga forcat e sigurisë. Gjatë konfliktit, forcat e sigurisë hapën zjarr mbi demonstruesit, ku të paktën shtatë persona u vranë dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën.

Po ashtu thuhet se protestuesit i vendosën zjarrin ndërtesës së Prefekturës së Basrës. Ndërtesa në flakë mund të shihet edhe në videot e postuara në rrjetet sociale.

Pas të gjitha këtyre ngjarjeve në qytetin e Basrës, komanda për operacione në qytet shpalli orë policore.

Basra është një rajon irakian nga i cili nxirren 80 për qind e totalit të naftës së Irakut. Për gati dy muaj zgjasin protestat e banorëve të këtij qyteti të cilët janë të pakënaqur me përqindjen e lartë të papunësisë, probleme në furnizimin e energjisë elektrike dhe shërbimeve të tjera publike.