I arrestuari me drogë dy ditë më parë, djali i drejtorit të PS-së

I arrestuari nga Policia e Lezhës dy ditë më parë është djali i drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Mjedisit në Lezhë Bardhok Frrokut.

Ish-kryeministri Sali Berisha e denoncoi sot rastin, pasi mediat më herët bënë publik lajmin.

Policia ka dhënë vetëm inicialet e identitetit të tij, dy ditë më parë gjatë operacionit “Kreshta 2”, por abcnews.al, raportoi sot se bëhet fjalë për Xhuliano Frrokun.

Frroku është pikasur si i dyshimtë nga patrulla e Policisë dhe i është bërë me shenjë që të ndalojë. Në momentin e ndalimit, 22-vjeçari kishte kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke mos i lejuar që të bënin kontroll në mjetin e tij.

Policia ka kryer kontrollin e automjetit dhe brenda tij ka gjetur 2.5 kg lëndë narkotike të llojit kanabis. Pavarësisht kundërshtimit të tij, Frroku është arrestuar dhe është shoqëruar në Komisariatin e Lezhës.

Frroku është treguar i parezervuar mbi jetën e tij luksoze në rrjetet sociale ku ka shënuar se është “Spaqator” (në italisht shpërndarës droge). Gjithashtu i riu ekspozonte po pa problem edhe ora e bizhuteri të shtrenjta dhe makinën e tij tip “AUDI A6”

Njoftimi i policisë 2 ditë më parë:

Në vijim të punës së pandërprerë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe vendosjen e autorëve para përgjegjësisë penale, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe në bashkëpunim me qytetaret, ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Kreshta 2”.

Në kuadër të këtij operacioni, u bë bllokimi i një automjeti tip Benz në vendin e quajtur “Rruga e Kallmetit”, Lezhë, i cili dyshohej se transportonte lëndë narkotike.

Në momentin e ndalimit, drejtuesi i automjetit ka kundërshtuar punonjësit e Policisë me qëllim shmangien e kontrollit të automjetit, por është neutralizuar dhe Policia ka kryer kontrollin e automjetit .

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, në pjesën e sendiljes se prapme është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 2.3 kg, e dyshuar cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve proceduarale, Policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit, shtetasin Xh. F., 22 vjeç, banues në Lezhë, si autor të veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme./NOA.al