Hulusi Akar: Operacioni “Mburoja e Pranverës” që filloi në Idlib, vazhdon me sukses

"Qëllimi ynë dhe përpjekjet tona janë fillimisht për sigurimin e armëpushimit, parandalimin e migrimit dhe ndalimin e gjakderdhjes dhe më pas vendosjen e paqes, qetësisë dhe stabilitetit në rajon", tha ministri Akar

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar ka deklaruar se operacioni “Mburoja e Pranverës” që filloi më 27 shkurt pas sulmit mizor në Idlib, vazhdon me sukses, transmeton Anadolu Agency (AA).

Akar bashkë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjeneralin Yaşar Güler, Komandantin e Forcave Tokësore, Gjeneralin Ümit Dündar dhe Komandantin e Forcave Ajrore, gjeneralin Hasan Küçükakyüz, kaluan mbrëmjen në Hatay, në afërsi të kufirit me Sirinë duke drejtuar dhe menaxhuar deri në mëngjes operacionet dhe aktivitetet kundër objektivave të regjimit në Idlib.

“Operacioni ‘Mburoja e Pranverës’ që filloi më 27 shkurt pas sulmit mizor në Idlib, vazhdon me sukses. Deri më sot janë neutralizuar 1 dron, 8 helikopterë, 103 tanke, 72 topa/obusë/multiraketahedhës, 3 sisteme të mbrotjes ajrore, 15 kundërtanke, 56 mjete të blinduara, 9 depo të municioneve dhe 2.212 ushtarë dhe elementë të regjimit. Me trimërinë dhe sakrificën e ushtarëve tanë goditjet dhe aktivitetet tona vazhdojnë me sukses ashtu sikurse janë planifikuar”, tha Akar duke shtuar:

“Në të njëjtën kohë vazhdojnë edhe bisedimet tona me Rusinë. Në këtë fazë ku kemi arritur, pritshmëria jonë nga Rusia është që të përmbushë angazhimet e saj si vendi garantues dhe në këtë kuadër duke përdorur ndikimin e saj të ndalojë sulmet e regjimit dhe tërheqjen e tij në kufijtë e marrëveshjes së Soçit”.

“Nuk kemi as synim, as qëllim për t’u përballur me Rusinë. Qëllimi ynë i vetëm atje është ndalimi i masakrave të regjimit si dhe parandalimi i radikalizimit dhe emigrimit. Nëse duhet të flasim hapur ne nuk e shohim të pranueshme një deklaratë të tillë të një vendi garantues si ‘nuk jemi përgjegjës për sulmet që do të kryejë regjimi‘. Si vende garantuese përveç se jemi dakorduar për uljen e tensioneve, ne duhet të tregojmë çdo përpjekje për të zbatuar të gjitha kushtet e dakordimit të Soçit”, tha Akar.

Sipas tij, “Në Idlib po përjetohet një dramë e madhe njerëzore si pasojë e sulmeve tokësore dhe ajrore të regjimit të cilat kanë filluar që nga 6 maji 2019 dhe që janë në vazhdim duke u rritur. Lidhur me këtë është rritur radikalizimi dhe migrimi, kanë humbur jetën 1.500 civilë të pafajshëm, mbi 5.000 të tjerë janë plagosur dhe 1 milionë e 335 mijë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe territoret e tyre”.

“Kjo popullatë e detyruar të largohet nga shtëpitë e tyre nuk është drejtuar në rajone të tjera të Sirisë por drejt kufirit të Turqisë. Arsyeja e kësaj është shumë e qartë. Ata janë larguar për të shpëtuar nga persekutimi i regjiimit. Në mënyrë të hapur dua të them se kemi përgjegjësi njerëzore, historike dhe morale për të mbrojtur të drejtën e jetës së vëllezërve tanë sirianë që janë fqinjët tanë dhe kemi lidhje historike dhe kulturore”, theksoi Akar.

“Qëllimi ynë dhe përpjekjet tona janë fillimisht për sigurimin e armëpushimit, parandalimin e migrimit dhe ndalimin e gjakderdhjes dhe më pas vendosjen e paqes, qetësisë dhe stabilitetit në rajon. Ne jemi të vendosur për ta arritur këtë”, tha ministri Akar duke paralajmëruar se “Askush të mos ketë as dyshimin më të vogël se në kuadër të vetëmbrojtjes do të jepet pa ngurrim kundërpërgjigjja më e ashpër kundër çdo sulmi ndaj njësive, pikave të vëzhgimit dhe pozicioneve tona”.