Hulusi Akar: Marrëveshja e Soçit vijon sipas planit

Më 22 tetor, Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas të cilës, terroristët e YPG/PKK-së do të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë

Marrëveshja e Turqisë me Rusinë për tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga Siria veriore është duke vijuar sipas planit, tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, raporton Anadolu Agency (AA).

“Gjithçka është normale dhe (marrëveshja) po shkon siç është planifikuar”, u tha Akar gazetarëve në Bruksel pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s.

Akar tha se tërheqja e YPG/PKK-së, në përputhje me marrëveshjen e arritur në Soçi të Rusisë këtë javë, duhet të përfundojë më 29 tetor në orën 18:00 sipas kohës lokale.

Të martën, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin zhvilluan një takim në qytetin bregdetar rus Soçi, ku Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas të cilës, brenda 150 orëve terroristët e YPG/PKK-së do të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.