Hoxha i përvishet ish Kryetarit të KMSH/Lot “krokodili”… Vajtoi pazarin e ngelur përgjysmë!

Nga Tasim Darsi

Shpeshherë ndodh që njerëz të cilët i kanë kushtuar jetën dijes fetare të bëjnë një punë tjetër ose të lënë vendin për të ushqyer familjen e tyre…

Në Shqipëri kjo ndodh jo vetëm për shkak të vështirësive në këtë profesion fisnik, por edhe për gjendjen e rënduar në të cilën ndodhet Komuniteti Musliman i Shqipërisë… 50 dollarë rrogë, imazh i copëtuar, drejtim i padenjë i institucionit… Do ishte më e lehtë sikur të mjaftonin vetëm këto akuza për Komunitetin Musliman ndër vite, teksa mbi të rëndojnë edhe akuza të tjera si vjedhje, mashtrim, persekutim, uzurpim institucioni etj…

Përkthimi i këtyre rreshtave ishte edhe një shkrim i një djali i cili është diplomuar në universitet si një “thirrës në fe”, por për shkak të situatës të cilën e përshkruam pak më lart jeton në Britaninë e Madhe. Shkrimi i tij ka ardhur në fakt si një përgjigje e një deklarate të ish-kryetarit të KMSH-së, Skënder Bruçaj, adresuar ndaj gjykatëses Fatmira Hajdari…

Në shkrim ai duket e se ka lënë në vështirësi ish-kryetarin Bruçaj përmes disa pyetjeve të cilat tregojnë qartë realitetin e hidhur të këtij institucioni… Vlen të kujtohet që ky institucion përpos këtyre akuzave shpeshherë është gjendur edhe përballë të tjera akuzave si uzurpimi nga një grup okult i lidhur me Fetullah Gülen, person ky që në Turqi është shpallur kryeterrorist për shkak të një tentative për grusht shteti të armatosur.

Për më tepër le të lexojmë shkrimin e plotë të Hoxhë Tasim Darsit!

Vakëfet dhe vajtimi i Skënder Bruçajt!

Nga Tasim DARSI

Në javën që lamë pas dëgjuam një deklaratë të ish-Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, deklaratë e vonuar dhe me prapaskena të theksuara politike. Besimtarët e thjeshtë kanë vajtuar kur kanë dëgjuar këtë padrejtësi, që është bërë nga një Gjykatëse si Fatmira Hajdari. Të njëjtët besimtarë u munduan të rehabilitojnë edhe njëherë figurën e Skënderit. Të gjithë vajtuan dhe fajësuan dikë për shitjen e Vakufit.

Por unë!!!

Unë që (si unë ka dhe të tjerë) ngjarjet nuk i shikoj vetëm me konsekuencën televizive, dhe ngaqë e di, se loti s’të sjell atë që ke humbur, jam ithtar me qajt dhe duhet të  bëj  kujdes para se të ndodhë marrëzia, kur ndodh e pranoj -edhe pse s’mundem të jem dakord me të.

Skënder Bruçaj vajtoi paaftësinë e tij, vajtoi rastin e humbur, vajtoi pazarin e ngelur përgjysmë, vajtoi biznesin e mbetur në tentativë. Vajtoi postin e uzurpuar dhe mospërfaqësimin që ju ka bërë besimtarëve.

Besimtar i denjë, një gjë duhet të dish. Në vitin 1990, KMSH me letra ishte institucioni me trashëgiminë më të pasur në vend. Me prona të dhuruara e pasuri të paluajtshme nga besimtarët e besimtaret ndër shekuj.

Për fat të keq në Shqipëri as demokracia s’erdhi si kudo në botë, as KMSH nuk arriti të marrë përfaqësim dinjitoz. Si fillim për të dy këto dështime s’ka dyshim se Orientimet e PPSH-së me Ramiz Alinë dhe pardesytë e bardha kanë rolin e tyre.

Të gjithë tashmë e dimë se ndërtesat shumëkatëshe në Tiranë, Fier, Durrës, Lushnje dhe Elbasan janë ndërtuar mbi pronat vakuf. Edhe në qytete të tjera ka pasur tjetërsime dhe s’do zgjatem në këtë temë.

Tek KMSH si përfaqësues më me dinjitet që ka treguar veten është vetëm Bledar Myftaraj, si ish-myfti i Tiranës. U dorëhoq nga detyra si person i virtyteve e besimdrejtë, por kurrë nuk pranoi që të hedhë firmë për të shitur prona vakuf. Nëpunësit e tjerë të KMSH nga kryetarët deri tek myftilerët ose kanë marrë pjesë në shitjen dhe tjetërsimin e vakëfeve ose kanë mbyllur veshët dhe sytë ose kanë bërë rolin e budallait, por më e keqja është se disa prej tyre flasin për këto pislliqesh pasi shkarkohen nga detyra ose kur ngelin pa marrë ndonjë kockë.

Të gjithë janë bashkëfajtorë. Prandaj për çdo ditë Vakëfet na merren, medresetë na tjetërsohen, teologët rregulojnë telefonë e pjekin pizza, kurse gazetarët dhe ata që mbarojnë për oteler-turizëm  janë në KMSH. Është edhe një shtresë kameleonësh, ku deri dje shanin, Selim Muçën, Hafiz Shaban Saliun, por me të marrë kockën e tyre, e mbyllën gojën dhe hapën fondacione bamirësie. Andaj kujdes…..

Të kthehemi tek vajtimi i paaftësisë së Skënder Bruçaj! Kam disa pyetje që dua të bind veten se Bruçaj qau prej vërteti, dhe jo me lot krokodili. Pyetjet që kanë të vërteta brenda!

  1. Kur ju u bëtë Kryetar i KMSH-së a kishit dijeni për problemin e vakufeve? Apo e mësuat këtë problem njëjtë siç mësove se je zgjedh kryetar pa kandiduar fare!
  2. Drejtorin e vakuf investimeve si e përzgjodhe? Çfarë kriteresh more për bazë?
  3. Sa herë e ke diskutuar në Këshill të Përgjithshëm problemin e Vakëvefe, me myftileret apo me besimtarët?
  4. Avokatin që punësove në KMSH a e zgjodhe profesionist, dhe që ka ndjeshmëri dhe respekt për vakëfet, apo zgjodhe një sa për ti dhënë rrogën? (Dihet se në KMSH avokati ka qenë më shumë sekser se sa avokat).
  5. Kur ishte problemi për këtë vakuf, ku kompania e interesuar nëpërmjet Uran Kalej, Ish-Drejtor tek Vakif-investimet; ju ofroi 250 mijë Euro ryshfet, pse nuk dole të flasësh në hutbe me besimtarët? Të na thoje po duan të më korruptojnë.
  6. Pse ngarkove Drejtorin e Medresesë së Tiranës në rrugë private të shkojë e të negociojë me Kryetarin e Kulteve Rasim Hasanaj (vëllain e Azem Hajdarit); Ku Drejtorit të Medresesë nuk i lejohet të merret me këto probleme?
  7. Kur Edi Rama të tha nëse përfaqëson Myslimanët informoji ata, ata do mbrojnë Vakëfet dhe unë si Kryeministër do ju mbështes! Përse nuk na informuat? Apo ngaqë e dije se nuk na përfaqëson!
  8. Kur u zhvillua seanca gjyqësore përse nuk e vendose çallmën, përse nuk e veshe xhyben me shku me ndjek seancën? Por dërgove disa të tjerë si biznesmenë?

Gjithë këto pyetje kërkojnë përgjigje. Vakufin në rastin më të keq na e morën, jo Fatmira, por ua dhurove ti. Ua dhurove me paaftësinë tënde. Ua dhurove që ditën kur fillove ta diskutoje nën-tavolinë. Ua dhurove që ditën që tu tha se po na ofrohen kaq lek nga një ndërtues dhe nuk reagove, por negociove ryshfetin.

Vakufin nuk na e morën, Vakufin ua dhurove ti. Unë qaj Vakufin, ju vajtoni ofertën e humbur. Unë qaj për amanetin e tradhëtur, ju vajtoni pse nuk arritët me ua dhënë patronave tuaj.

E shikon edhe lotët nuk i kemi të njëjtë. Ashtu sikurse as idealet. Unë jam për ummet e xhennet. Ndërsa, ju jeni sektarian e shërbyes i organizatës terrorriste Feto.

Shënim: Fatmira Hajdari s’ka pyetur për gjakun e babait të fëmijëve të saj, e do të pyesë për Vakëfet.