Holandë, i dyshuari në tramvaj gjuajti ndaj një të afërmi

Nga të shtënat me armë në Utrecht, qytetin qendror holandez, tre persona humbën jetën ndërsa 5 të tjerë u plagosën

Zyrtarët holandezë njoftojnë se është arrestuar një person i dyshuar për gjuajtje me armë, vrasjen e tre personave dhe plagosjen e pesë të tjerëve gjatë të shtënave me armë në tramvaj në Holandë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lajmi për arrestimin e 37-vjeçarit të dyshuar, Gökmen Taniş, u bë i ditur nga Jan van Zanen, kryebashkiaku i qytetit Utrecht, bashkë me zëdhënësin e prokurorisë, disa orë pasi ndodhi incidenti.

Zanen tha se arsyet e sulmit që ndodhi në sheshin “24 Tetori” janë akoma të pazbardhura.

Raportet paraprake sugjerojnë se incidenti i të hënës mund të buroj nga një mosmarrëveshje familjare.

Arrestimin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë, Rob van Bree.

Gjuajtësi i dyshuar në Holandë, sipas familjarëve të tij, ka shtënë ndaj një të afërmi në tramvaj për shkak të një “mosmarrëveshjeje familjare”, si dhe ndaj të tjerëve që u përpoqën ta ndihmojnë atë, raporton Anadolu Agency (AA).

Tre persona mbetën të vrarë dhe pesë të tjerë u plagosën pasi 37-vjeçari Gökmen Taniş ka shtënë me armë në tramvaj në qytetin Utrecht të Holandës.

Për mediat lokale, policia tha se hetimi i tyre po fokusohet në motive jo-terroriste, për shkak të një mosmarrëveshjeje familjare.

Turqia dënon gjuajtjen me armë në Holandë

Turqia të hënën ka dënuar gjuajtjen me armë ku kanë humbur jetën tre persona në Holandë.

“Fuqishëm e dënojmë sulmin që ndodhi sot (18 mars 2019) në qytetin Utrecht në Holandë, pavarësisht identitetit të sulmuesit dhe motivit të tij”, thuhet në një kumtesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

“Ne i shprehim ngushëllimet tona dhe u dëshirojmë qëndresë familjeve të atyre që humbën jetën, ndërsa të plagosurve u dëshirojmë shërim të shpejtë”, thuhet në kumtesën e ministrisë, ku theksohet se Turqia është “në solidaritet të plotë” me popullin dhe qeverinë holandeze.