Hashim Thaçi: Procesi për liberalizim të vizave do të përmbyllet gjatë këtij viti

“Ne kemi besim të plotë se i tërë ky process do të përmbyllet gjatë këtij viti dhe qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm. Natyrisht se mbetet për të punuar në Parlamentin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së”, deklaroi Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas vizitës në Bruksel dhe konfirmimit të Komisioni Evropian për përmbushjen e kërkesave për liberalizim të vizave, ka shprehur besim se procesi i tërë për lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë në vendet e Bashkimit Evropian (BE) do të përmbyllet gjatë këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni i përbërë nga presidenti Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi, qëndruan në vizitë në Bruksel.

Pas përfundimit të vizitës së delegacionit kosovar, komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin kosovar, konfirmoi se Kosova ka përmbushur dy kërkesat e pazgjidhura, përkatësisht ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe një procesverbal të forcuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave.

Në maj të vitit 2016, Komisioni Evropian propozoi te Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian të jepte udhëtimin pa viza të BE-së për popullin kosovar, me kuptimin se dy kërkesat do të përmbushen nga koha e miratimit të propozimit. Komisioni Evropian tani inkurajoi Këshillin Evropian dhe Parlamentin Evropian për të lëvizur përpara me propozimin e saj.

Me të kthyer nga Brukseli, gjatë konferencës për media në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, presidenti Thaçi tha se sot është një ditë e madhe për Kosovën, duke shtuar se vendimi i BE-së për liberalizim të vizave është një e arritur me dekada, e përpjekjeve të institucioneve, spektrik politik, të gjitha qeverive dhe atyre me ndikim në shoqërinë kosovare.

Këtë konfirmim për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian, Thaçi e vlerësoi si vendim të vonuar. Ai theksoi se pavarësisht pozicioneve nëpër institucionet e shtetit të gjithë kanë punuar për rrugëtimin evropian dhe po punojnë që Kosova të jetë shumë shpejtë pjesë e NATO-s dhe e BE-së.

“Ne kemi besim të plotë se i tërë ky process do të përmbyllet gjatë këtij viti dhe qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm. Natyrisht se mbetet për të punuar në Parlamentin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së. Gjithashtu shpresoj se të gjithë ne që jemi këtu dhe të tjerët, do të angazhohen maksimalisht të kontribuojmë me vullnetin më të mirë dhe me përgjegjësinë më të lartë kushtetuese dhe ligjore, sepse i tërë ky process i takon të gjithëve dhe është meritë e të gjithve”, tha Presidenti Thaçi.

Thaçi përmendi edhe takimin e sotëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vucic, të lehtësuar nga zyrtarja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, për të cilin tha se në takim ka shprehur angazhimin e Kosovës për përshpejtimin e procesit të dialogut dhe për arritjen e marrëveshjes finale, ligjërisht obligative që, siç tha ai, do të nënkuptonte përfundimisht njohjen formale nga Serbia për Kosovën dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Ndërkaq, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, i cili po ashtu u adresua në Aeroportin “Adem Jashari”, tha se pas këtij suksesi të merituar të vendit duhet të punojmë në vazhdimësi për reformat në përgjithësi, në mënyrën më të fuqishme dhe më të guximshme.

Sa i përket partneritetit me të gjitha mekanizmat e BE-së, Veseli theksoi se Parlamenti Evropian do të votojë pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, sepse siç tha ai, Parlamenti Evropian është institucioni i vetëm brenda BE-së që ka njohur Republikën e Kosovës. Ai tha se duhet të vazhdojë lobimi me të gjitha shtetet anëtare të BE-së veç e veç.

Duke kujtuar obligimin për të arritur qëllimin parësor, që në muajin dhjetor Kosova të ketë liberalizimin e vizave, Veseli tha se: “Unë kisha thirrur edhe kolegët e tjerë të opozitës që t’i gëzohen këtij lajmi dhe në të njejtën kohë menjëherë të mobilizohemi. Unë besoj se që nga java e ardhshme së bashku me kolegët e të gjitha grupeve parlamentare si kryetar i Kuvendit do të vazhdojmë lobimin të jemi në shtetin italian, pastaj do të vazhdojmë edhe në shtetin francez dhe në cdo shtet ku mendojmë se është ndihmës për liberalizimin e vizave për arsye se vendimmarja e cila do të ndodhë brenda këtij viti varet nga shtetet e BE-së”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij tha se suksesi i sotëm e ka vërtetuar unitetin e Kosovës në tema nacionale përballë BE-së, duke potencuar besimin se kjo porosi ka shkuar tek të gjithë.

“Çdo punë që është në axhendën e këtij vendi do të punojmë kësi soji që ta gëzojmë qytetarin tonë, atdheun tonë, t’i gëzojmë partnerët që kanë investuar shumë për Kosovën”, u shpreh Haradinaj.

Ndërsa zv/kryeministri i Parë dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, theksoi se sot në Bruksel ishte dita e Kosovës, duke shprehur dëshirën që ky unitet të vazhdojë. Ai shtoi se Kosova është e barabartë me shtetet e rajonit dhe do të bëhet pjesë e shtëpisë evropiane në të ardhmen.