Hashim Thaçi: Pres vështirësi dhe pengesa më të mëdha në dialogun Kosovë-Serbi

"Serbia ende mendon se Kosova është pjesë e saj, ende jeton me mentalitetin e së kaluarës. Mashtrohen, sepse Kosova është vend sovran", tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Bruksel për takimin e radhës në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deklaroi se “Takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka qenë një takim i shkurtër por ndoshta më i rëndi në gjashtë vitet e fundit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Për takimin në nivel të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në prani të përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, Thaçi tha se: “Ka qenë një takim i shkurtër, jo i lehtë, mund të them shumë i vështirë. Ndoshta më i shkurti dhe më i rëndi që kemi zhvilluar në këto gjashtë vitet e fundit. Por, përkushtimi ynë për të ardhmen evropiane është serioz, i përgjegjshëm prandaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare”.

Duke potencuar se përkundër faktit që ditët dhe javët e ardhshme do të jenë jashtëzakonisht të vështira sa i përket dialogut me Serbinë, Thaçi theksoi se ende sheh dritë në fund të tunelit.

“Serbia ende mendon se Kosova është pjesë e saj, ende jeton me mentalitetin e së kaluarës. Mashtrohen, sepse Kosova është vend sovran”, shtoi Thaçi duke bërë të ditur se marrëveshja përfundimtare në mes dy shteteve duhet të jetë kredibile për Kosovën, Serbinë por edhe për investimet e bashkësisë ndërkombëtare e veçanërisht atyre që vijnë nga BE-ja.

Lidhur me ecurinë e dialogut, Thaçi tha se pret vështirësi dhe pengesa edhe më të mëdha duke shtuar se nuk do të jenë takime të lehta por shtoi se dialogu nuk ka alternativë.

Ndërsa, në takimin e zhvilluar me Mogherinin ku i pranishëm ishte edhe delegacioni i gjerë i liderëve kosovarë, presidenti Thaçi tha se kanë diskutuar për të ardhmen evropiane të Kosovës, procesin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes finale në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë si dhe për hapat konkretë që duhet t’i ndërmarrë Kosova në raport me BE-së në mënyrë që të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave.

Më tej Thaçi tha se në takimin me Mogherinin, si delegacion i Kosovës kanë konfirmuar se Kosova është gati dhe unike për dialog dhe negociata për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë si parakusht për t’u integruar në NATO dhe BE, për një fqinjësi të mirë, për paqen dhe stabilitetin.

Kujtojmë se në takim me Mogherinin ka qenë delegacioni i Republikës së Kosovës i përbërë nga të gjithë udhëheqësit institucionalë dhe liderët politikë të partive politike parlamentare që janë pjesë e koalicionit qeverisës, respektivisht nga presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi.