Haradinaj: Kosova e përkushtuar për fqinjësi të mirë

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe kontribuuese, e rëndësishme në të gjitha iniciativat rajonale, që për qëllim kanë zhvillimin ekonomik rajonal dhe hapjen e perspektivës europiane”, theksoi Kryeministri Ramush Haradinaj në Forumin e Dubrovnikut.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe kontribuuese, e rëndësishme në të gjitha iniciativat rajonale, që për qëllim kanë zhvillimin ekonomik rajonal dhe hapjen e perspektivës europiane”, theksoi Kryeministri Ramush Haradinaj në Forumin e Dubrovnikut.

Para të pranishmëve në këtë forum, me temë “Fuqizimi i qëndrueshmërisë – Mediterani, Europa dhe Ballkani Perëndimor”, Haradinaj theksoi se “bashkëpunimi ndërmjet vendeve duhet të jetë në funksion të integrimeve europiane dhe për këtë qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim”,raporton ATSH.

Kryeministri Haradinaj shprehu orientimin e qartë properëndimor dhe përcaktimin euroatlantik të Kosovës për anëtarësim në BE dhe në NATO.

“Jemi duke punuar me përkushtim për qeverisje transparente dhe llogaridhënëse, fuqizimin e sundimin të rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të njëjtën kohë po punojmë në Axhendën e Reformave Europiane, ERA 2”, tha Kryeministri Haradinaj.

Më tej, Kryeministri Haradinaj foli për sundimin e ligjit si prioritet i qeverisë së Kosovës, që dëshmon se vendi po e përmbyll me sukses procesin e liberalizimit të vizave, si dhe tranzicionin e Forcave të saj të Sigurisë.

“Kosova është gati, po ashtu, për tranzicionin e FSK-së në ushtri, si një trupë gjithëpërfshirëse e profesionale, sipas standardeve të NATO-s.”

Haradinaj foli edhe për raportet ndërfiqnjësore, për të cilat tha se “Kosova është duke punuar për ndërtimin e paqes dhe perspektivës, duke vlerësuar se ka raporte të mira me shumicën e vendeve, e që është në proces të normalizimit të marrëdhënieve edhe me shtetin fqinj Serbinë”.