Hami Aksoy: Franca thellon konfliktin në Libi

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë thonë se mbështetja franceze për gjeneralin puçist Khalifa Haftar shton dhimbjen dhe ankesat e libianëve

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, tha se Franca thellon konfliktin në Libi duke mbështetur gjeneralin renegat Khalifa Haftar kundër qeverisë së Libisë të njohur ndërkombëtarisht, transmeton Anadolu Agency (AA).

Aksoy tha se mbështetja franceze inkurajoi Haftarin të këmbëngulë në mjete ushtarake dhe shtoi më tej dhimbjen dhe ankesat e libianëve të lodhur nga lufta.

Duke iu përgjigjur një deklarate të fundit të Francës ku kritikohet prania e Turqisë në Libi, Aksoy përsëriti se Ankaraja zyrtare kishte ofruar mbështetje për qeverinë me kërkesën e Tripolit zyrtar, ndërsa Franca qëndronte me “puçistin” Haftar megjithë rezolutat e OKB-së dhe NATO-s.

Duke theksuar se prania turke në Libi ishte e bazuar në ligj, ai tha se politika franceze në vendin e goditur nga lufta nuk ishte e pranueshme si një anëtar i aleancës së NATO-s.

Aksoy tha se Franca po vepronte si një agjent i vendeve të tjera në rajon dhe shtoi se ajo ka qëllime të këqija për Libinë, që u ilustruan në komentet e saj të djeshme.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se Turqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet nën kujdesin e OKB-së për të siguruar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Libi.

Ushtria libiane kohët e fundit u ka shkaktuar goditje të rënda forcave të Haftarit, duke çliruar qytetet Tripoli dhe Tarhuna, si dhe vende të tjera strategjike, përfshirë bazën ajrore të Al-Watiya.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli 2019, dhe më shumë se një mijë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e dhunës.