Greqia përforcon kontrollet kufitare me Turqinë

Situata mes Turqisë dhe Greqisë është tensionuar. Athina po e forcon praninë ushtarake në kufirin e lumit Evro. Në këtë zonë ka kohë që gjendja po agravon.

Thanasis Kamilaris është peshkatar dhe e njeh mirë deltën e Evros. Këtu lumi mes Turqisë dhe Greqisë derdhet në veri të detit Egje. Delta e lumit kufitar ka rëndësi të madhe për florën dhe faunën me një sipërfaqe prej gjithsej 200 km katrorë. Rrjeti i kanaleve, lumenjve anësorë dhe lagunave është i vështirë të kontrollohet. Edhe për këtë arsye Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar mbështetjen e peshkatarëve të zonës, që po pajisen prej ushtrisë duke u kthyer në si të thuash “gardistë kombëtarë” dhe po marrin funksionin e rojeve të kufirit. Por gradualisht situata po ndërlikohet për Thanasis Kamilaris dhe kolegët e tij.

Atakime nga Turqia?

Vazhdimisht ndodhin konflikte mes ushtarëve turq të kufirit dhe peshkatarëve grekë. “Ata na kërcënojnë ne edhe në territorin shtetëror grek”, thotë Kamilaris: “Unë isha në lumë dhe desha të hedh rrjetat e mia të peshkimit. Më erdhën ushtarët turq nga ana tjetër. Ata menjëherë më vunë në shënjestër me armë dhe më thanë: Këtu është Turqi. Por unë isha i sigurtë që ndodhesha 100 metra larg kufirit.”