Gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting rrezikojnë burgun

Pas vendimeve të Apelit të gjithë në ndjekje penale, gati t’u sekuestrohen...

Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë ngelur në procesin e vetingut shumë shpejt do të përballen me drejtësinë. Deri më tani 15 emra janë përjashtuar nga sistemi dhe është vënë re se pavarësisht se kanë kryer vepra penale, nuk ka asnjë kallëzim ndaj tyre. Gazeta u interesua pranë organeve të vetingut për këtë çështje dhe ka mësuar se askush nuk do të tolerohet. Ligji e ka bërë të qartë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk jep vendim të formës përfundimtare, pasi është Kolegji i Apelimit ai që vendos gjithçka. Deri më sot të gjithë emrat që kanë rezultuar ngelës nga KPK i janë drejtuar KPA, e cila do të vendosë për secilin nëse e meritojnë shkarkimin apo jo. Për të gjithë ata emra që KPA lë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do të ketë dhe kallëzime penale. KPK deri më tani ka paditur vetëm Besnik Imerajn, por që për të u pushuan hetimet nga prokuroria. Rasti i tij ishte i veçantë, pasi Imeraj dha dorëheqjen dhe nuk priti të merrej vendimi për të, ndërkohë që KPK e kishte mbyllur procesin e verifikimit dhe zbuloi shkelje. Nga vendimet e dhëna deri më tani rezulton se të gjithë emrat e larguar kanë bërë fshehje të pasurisë, kanë bërë deklarim të rremë e në disa raste ka pasur e pastrime parash. Të gjitha këto janë vepra penale dhe dënohen me gjobë e burgim. Kodi i Procedurës Penale detyron çdo institucion shtetëror që të bëjë kallëzim kur ka dijeni për vepra penale. “Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore. Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori”, thuhet në Kod. Pikërisht, në bazë të këtij përcaktimi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive janë të detyruara të kallëzojnë penalisht të gjithë ata që zbulohen me shkelje, raporton Sot.

3 vite burg dhe sekuestrim pasurie

Përveç KPK dhe ILDKP, pritet që dhe vetë prokuroria të nisë hetimet me indicie ndaj emrave që ngelin në veting. Por edhe ky organ është duke pritur vendimin e formës së prerë që do të marrë Apeli. Por nëse shohim përcaktimet në Kodin Penal, të gjithë të ngelurit në veting rrezikojnë deri në 3 vite burg. Deri më sot kanë ngelur në veting 16 persona dhe që të gjithë kanë kryer fshehje pasurie ose mosdeklarim të ardhurash. Sipas Kodit Penal, kjo vepër penale dënohet deri në 3 vite burg. Por me ndryshimet e reja që janë bërë në ligj, tashmë hyn në lojë dhe ligji antimafia. Po ashtu dhe vetë Prokuroria e Përgjithshme në objektivat e saj për 2018 e ka bërë të ditur se për çdo rast hetimi në nivele të larta, e sidomos për korrupsion, automatikisht do të nisë verifikimi pasuror. Rasti më i freskët është ai i Adriatik Llallës, pasi ju sekuestrua pasuria. E njëjta gjë do të ndodhë dhe me emrat që do hetohen dhe do të dënohen nga gjykata. Kjo ka bërë që në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve të fillojë paniku, pasi të gjithë ata që nuk justifikojnë pasurinë do arrestohen dhe pasuritë e vëna nga korrupsioni do i kthehen popullit.