Francezët nderojnë ish-presidentin Jacque Chirac

Francezët i dhanë të dielën lamtumirën e fundit ish presidentit Jacques Chirac, që gjerësisht kujtohet si një gjigant karizmatik i politikës së brendshme dhe të jashtme, pavarësisht një trashëgimie të përzierë që ai lë pas.

Francezët i dhanë të dielën lamtumirën e fundit ish presidentit Jacques Chirac, që gjerësisht kujtohet si një gjigant karizmatik i politikës së brendshme dhe të jashtme, pavarësisht një trashëgimie të përzierë që ai lë pas.

Chirac u nda nga jeta të enjten, në moshën 86 vjeçare dhe pas kësaj, pati një mori reagimesh dhe nderimesh për njeriun, karriara politike e të cilit u shtri në tre dekada dhe që kulmoi me 12 vite si president i vendit, nga 1995 deri në 2007, shkruan Top Channel.

Një sondazh i bërë nga Le Journal du Dimanche tregoi se francezët e konsideronin atë presidentin më të mirë të erës moderne, përkrah Charles de Gaulle.

Arkivoli i Chirac, të dielën, qëndroi në katedralen e Shën Luigjit, në kompleksin memorial Invalides, në qendër të Parisit, ku edhe francezët e thjeshtë bënë nderimet e tyre.

Ceremonia e varrimit do të mbahet të hënën, me rreth 30 shefa shtetesh dhe qeverish që pritet të jenë të pranishëm, mes të cilëve, presidenti rus, Vladimir Putin, ai gjerman Frank Valter Steinmeier, etj.

Edhe pasuesit e tij, Nikolas Sarkozi dhe Fransua Hollande do të jenë të pranishëm, ndërkohë që një shfaqje e rrallë publike do të jetë edhe ajo e presidentit të tretë të Republikës së Pestë të Francës moderne, Valery Giscard D’Estaign.