Filmi “HoneyLand” (Toka e mjaltit), është jeta të cilën e shikoni drejtë në sy, është vendi ku gërshetohen gëzimi dhe pikëllimi, është mënyra e jetës të cilën më nuk e jetojmë nga shkaku i modernizmit. Ky është përshkrimi i ekipit filmik për veprën e tyre artistike të zhanrit dokumentar i cili fitoi tre çmime të mëdha, në festivalin amerikan “Sundance”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në festivalin i cili u mbajt në Utah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), filmi “HoneyLand” në regji të Lubo Stefanov dhe Tamara Kotevska fitoi Çmimin e Madh të Jurisë (Grand Jury Prize) për filmin më të mirë dokumentar në nivel botëror, xhiruesit Femi Daut dhe Samir Luma morën çmimin për Kinematografi më të mirë (Special Jury Award for Cinematography), ndërsa filmi mori edhe Çmimin për Ndikim për Ndryshime (Special Jury Award for Impact for Change).
Regjisorët, skenaristë dhe xhiruesit e filmit, në një konferencë për mediat në Shkup, shpalosën detajet e xhirimit të filmit, i cili sipas tyre ka pasur momente hareje dhe pikëllimi. Bëhet fjalë për gruan e fundit në Evropë, Hatixheja, e cila merret me kultivimin e bletëve të egra. Filmi flet për nevojën e ruajtjes së balancës dhe shfrytëzimit të resurseve të tokës, por në mënyrë të matur.
Dokumentari është në produksion të Apolo Media Films dhe është realizuar si pjesë e programit për ruajtjen e mjedisit në Maqedoninë e Veriut, një projekt i agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim i përkrahur edhe nga Agjencia për Film.
Zëvendës ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Stefane Tomazhijan, në fjalimin e tij tha se filmi e kishte lënë pa fjalë sepse siç tha, protagonistja kryesore e filmit, Hatixheja përçon një mesazh shumë domethënës.
“Protagonistja kryesore e filmit, Hatixheja, na jep një mesazh shumë domethënës, thotë mbani gjysmën e mjaltit për vete, ndërsa gjysmën tjetër e leni për bletët. Është mesazh i një gruaje e cila jeton në simbiozë me natyrën dhe jeton mirë pa e dëmtuar atë”, tha ai, për të shtuar se filmi është një thirrje për ne, të zgjohemi dhe të senzibilizohemi kundër ndotjes e ambientit.
“Jemi shumë krenar që ne si Zvicër, kemi ndihmuar këtë ekip kreativ për të përçuar në botë mesazhin universal”, tha Tomazhian.
Anita Stojçevska nga Agjencia për Film, tha se filmi është sukses edhe i kinematografisë së Maqedonisë së Veriut në përgjithësi, dhe do të ndryshojë perceptimin për filmin që prodhohet këtu.
Atanas Georgiev, skenarist dhe montazher i filmit në përshtypjet e tij për festivalin “Sundance”, tha se në bazë të kritikave ka pritur një çmim, por assesi këtë sukses.
“Filmi ka kontratë me një kompani të madhe për shpërndarje të filmit në Amerikën e Veriut dhe quhet Neon e cila është zotuar të distribuojë filmin nëpër kinematë të së paku 15 qyteteve amerikane, ndërsa ky numër mund të shkoj në 50 qytete, që do të thotë se do të kemi publik shumëmilionësh”, tha Georgiev, për të shtuar se optimizmi i tyre bazohet edhe në të dhënat se zhanri i dokumentarit, shënon rritje të publikut në rrafsh global.
Më 12 dhe 13 mars të këtij viti, filmi do të ketë projeksion të mbyllur për gazetarët dhe të ftuarit tjerë, ndërsa shfaqja publike do të bëhet në festivalin e filmit “Mekedokx” në gusht të këtij viti në Shkup.
Ndërkohë, ekipi do të udhëtojë nëpër shtete të ndryshme të botës ku do të shfaqet filmi nëpër festivalet e atjeshme.