Erdoğan: Banesat do të shërbejnë si shenjë e re e miqësisë Turqi-Shqipëri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se banesat që do të ndërtohen nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) do të shërbejnë si shenjë e re e miqësisë Turqi-Shqipëri.

“Banesat që do të ndërtohen nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) do të shërbejnë si shenjë e re e miqësisë Turqi-Shqipëri. Shpresojmë që së shpejti të përfundojmë fazën e parë të banesave dhe më pas të fillojmë dorëzimin e tyre vëllezërve tanë që kanë humbur shtëpitë gjatë tërmetit”, tha Erdoğan në një lidhje të drejtpërdrejt në ceremoninë e hedhjes së themeleve për 522 banesat që do të ndërtohen në Shqipëri nga TOKI.

Pas përshëndetjeve për Shqipërinë dhe shqiptarët, Erdoğan tha se se Turqia mobilizoi menjëherë mundësitë e saj pas tërmetit që u përjetua më 21 shtator dhe 26 nëntor 2019 në Shqipëri.

“Shqipëria është partnere dhe mike e afërt e Turqisë në Ballkan. Gëzimin e popullit shqiptar ne e shohim si gëzimin tonë, ndërsa edhe pikëllimin e tij si pikëllimin tonë”, shtoi Erdoğan.

Menjëherë pas tërmetit të shtatorit Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) dërgoi në Shqipëri katër maune me ndihma, tha Erdoğan i cili u shpreh se “Pas fatkeqësisë së tërmetit në nëntor përveç ndihmave të tjera shtesë që siguruam ne vendosëm ndërtimin e banesave për vëllezërit tanë shqiptarë. Pavarësisht pandemisë së COVID-19, në korrikun e kaluar ne nënshkruam memorandumin e nevojshëm të mirëkuptimit dhe filluam ndërtimet. Ndërsa sot me pjesëmarrjen e ministrit tonë të mjedisit dhe urbanizimit, Murat Kurum po realizojmë ceremoninë e hedhjes së themeleve për këto banesa që shpresojmë se do të jenë një strehë e ngrohtë për vëllezërit tanë shqiptarë”.

Presidenti Erdoğan pasi informoi se ky projekt përfshin 522 banesa dhe ka një kosto prej rreth 42 milionë eurosh, ai shprehu urimet që ky projekt të shërbejë në të mirë.

“Këto banesa shërbejnë si shenjë e re e miqësisë Turqi-Shqipëri. Shpresojmë që së shpejti të përfundojmë fazën e parë të banesave dhe më pas të fillojmë dorëzimin e tyre vëllezërve tanë që kanë humbur shtëpitë gjatë tërmetit. Me këtë rast uroj që Allahu të mëshirojë vëllezërit tanë shqiptarë që kanë humbur jetën në këtë tërmet. Gjithashtu u shpreh durim dhe ngushëllime familjarëve. E lus Zotin që të na mbrojë nga të gjitha llojet e katastrofave, fatkeqësive dhe epidemive”, tha Erdoğan.

“Fjalimin që mbajti pak më parë miku i i vlefshëm Edi Rama e ndoqa me të gjithë ndjeshmërinë. Besoj se me kontributin e tij kryesisht në këtë proces, ne do të eliminojë në kohën më të shkurtër katastrofat e këtij tërmeti dhe do të sigurojmë që të gjithë viktimat e tërmetit të marrin pjesë në këto banesa të bukura, në këtë formacion të bukur. Uroj që të jetoni në shëndet dhe paqe për një jetë me familjet tuaja dhe të gjithë dashurit në këtë banesa. Ju uroj Vitin e ri që po afron dhe ju përshëndes edhe njëherë përzemërsisht”, deklaroi Erdoğan.

Kryeministri Rama në fjalën e tij në ceremoni duke uruar në turqisht mirëseardhjen për të pranishmit tha se lagjja e re që po ndërtohet në Laç do të jetë dëshmi e marrëdhënies së veçantë mes dy popujve

Në qytetin e Laçit është mbajtur ceremonia për hedhjen e themeleve të projektit të banesave për familjet që u prekën nga tërmeti i vitit të kaluar, ndërkohë mbajtën fjalë përshëndetëse presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë nga të dyja vendet.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizmit, Murat Kurum, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetari i Autoritetit Shtetëror të Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI), Ömer Bulut, ministri i Rindërtimit i Qeverisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj dhe kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.

Kryeministri Rama në fjalën e tij në ceremoni duke uruar në turqisht mirëseardhjen për të pranishmit tha se lagjja e re që po ndërtohet në Laç do të jetë dëshmi e marrëdhënies së veçantë mes dy popujve.

“Sot jemi këtu për të dëshmuar solidaritetin e jashtëzakonshëm që Republika e Turqisë dhe presidenti Erdoğan kanë shprehur që në momentet e para, pas fatkeqësisë së madhe të 26 nëntorit të shkuar, po ashtu edhe fjalën e mbajtur të presidentit dhe të miqve tanë turq, për të nisur nga puna dhe për ta rilindur zemrën e qytetit të vogël të Laçit me një lagje të re. Një lagje simbol e duarve të shtrënguara të miqësisë dhe të solidaritetit e cila do të jetë këtu për kohët që vijnë si dëshmi e kësaj marrëdhënie të veçantë mes dy popujve, dy vendeve dhe dy qeverive tona”, u shpreh Rama.

Rama tha se “Turqia ishte pjesë e rrjetit të vendeve mike që jo vetëm u shprehën me fjalë që në momentet e para, por angazhuan menjëherë forca njerëzore dhe burime materiale për të qenë të pranishëm kur ende jetë njerëzore kërcënoheshin nga gërmadhat.”

Kryeministri i Shqipërisë tha se projekti i Turqisë është një projekt që vjen si shprehje e respektit për territorin, me parametra urbanë.

Projekti që përfshin ndërtimin e 522 apartamenteve, 37 njësi tregtare dhe qindra vedne parkimi zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa punimet në Njësinë Administrative Laç, në Bashkinë e Kurbinit, po realizohen nga kompania Albayrak.