Enver Hoxhaj: Nëse s’ka liberalizim vizash, kushtëzojmë dialogun me Serbinë

“Nëse vizat nuk liberalizohen sa më parë, Kosova duhet ta kushtëzojë dialogun me Serbinë”. Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha për “Radion Europa e Lirë” se ka menduar të ndodhë një lloj politike kushtëzimi, jo një lloj tërheqjeje.

“Nëse vizat nuk liberalizohen sa më parë, Kosova duhet ta kushtëzojë dialogun me Serbinë”. Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha për “Radion Europa e Lirë” se ka menduar të ndodhë një lloj politike kushtëzimi, jo një lloj tërheqjeje.

“Në deklaratat e mia, asnjëherë nuk ka pasur formulime për tërheqje, por nëse Bashkimi Europian nuk është në gjendje t’i përmbushë premtimet në raport me liberalizimin e vizave, teksa ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret, nga i pari deri tek i 95-ti, atëherë përse duhet t’i besojmë Brukselit se do të ketë instrumente që ta bindë Serbinë të njohë Kosovën? Duhet të jemi realistë në një qasje të tillë”, thotë numri dy i ekzekutivit kosovar.

Ai ka prekur edhe çështjen e taksës së vendosur ndaj importeve serbe. Pala serbe e përdori si justifikim për të bërë presion, duke thënë se “po nuk u hoq kjo taksë, nuk do të ketë bisedime”.

Hoxhaj e konsideron çështje të Beogradit nëse do të tërhiqet apo jo. “Prishtina, – u shpreh ai, – do të marrë pjesë në dialog, sepse beson te dialogu”. Vendosjen e taksës, zyrtari i lartë e shkëputi krejtësisht nga ky kontekst, duke thënë se ajo është diçka tjetër.

Për heqjen e kësaj takse ka bërë thirrje si Serbia, ashtu dhe Bashkimi Europian, por zyrtarët e Kosovës këmbëngulin se, paratë që Beogradi po fiton në Kosovë është duke i përdorur në fushatën e tij për të dëmtuar pikërisht shtetësinë e saj./TCh