Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla duke theksuar se tregut i nevojiten njerëz të kualifikuar dhe me njohuri të shëndosha në këto fusha nënvizoi se lëndët e integruara të teknologjisë falë kurrikulës së re janë bërë pjesë e shkollës që në klasën e katërt,raporton Top Channel.
“Kompetenca digjitale është sot kompetenca kyçe në të cilat edukohen dhe frymëzohen nxënësit në sistemin tonë arsimor parauniversitar. Për të cilët duhet thënë dhe duhet përshëndetur që, e gjithë reforma kurrikulare në të cilën është përfshirë sistemi ynë parauniversitar ka bërë të mundur një vizion të ri të shkollës për t’u larguar nga metodologjia e vjetër, thjesht dhe vetëm, e përsëritjes së informacionit, dhënies dhe marrjes së informacionit në një qasje krejt të re, se sa dhe si ne i përgatisim të rinjtë dhe të rejat me qëndrime, me aftësi me shprehi për ta përdorur këtë informacion nesër për t’u përballur me nevojat apo për të zgjidhur problemet e jetës. Në këtë këndvështrim edhe kompetenca që lidhet me teknologjinë dhe informacionin ka bërë të mundur që të futet në pjesë të kurrikulës që në klasën e 4-ërt. Ndryshe nga më parë, që fillonte në klasën e mëvonshme të formimit në arsimin parauniversitar, pra fillonte në klasën e 7-të, me kurrikulën e re ajo fillon në klasën e katërt.
Për ministren e Arsimit kodimi dhe gjuha e programimit është e ardhmja, ndaj është e vendosur që nxënësit shqiptarë të aftësohen që jo vetëm ta përdorin teknologjinë por edhe të krijojnë në dobi të shoqërisë.