Do të kemi të njëjtën tablo

Redi Shehu

Pas javëve te plazhit dhe ditëve të nxehta të kësaj vere, Partia Demokratike iu rikthye vetvetes me organizimin e kryesisë së re të saj, menjëherë pas një serie proçedurash të cilat ajo ndoqi pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit. Basha u rikonfirmua si kryetar i saj nga anëtarësia demokrate, për të tretën herë paçka humbjes së zgjedhjeve. Këshilli Kombëtar gjithashtu u rikonfigurua, dhe radhën e kishtë kryesia e partisë. Me nje shtesë prej 15 vetësh nga numri aktual i saj kryesia e re e PD përbehet sot prej 35 anëtarësh duke dhënë idenë e një skuadre më të madhe dhe më të re, në përballjen me të ardhmen politike e cila përmblidhet luftë ndaj një dhe vetëm një personi te vetëm, që është kryeministri aktual.

Në këtë organizim të ri të kryesisë, por edhe në ato të mëparshmet pas datës së zgjedhjeve, përveç ristrukturimit, nuk u konstatua ndonjë formë e rivlersimit të hapave të hedhura deri më tani. As nuk u bë një inventar mbi përgjegjesitë e humbjes së zgjedhjeve. Thjesht u ndërtuan struktura të reja për të mbajtur të gjallë disa hesape të vjetra. Në gjithë këtë zhvillim të brëndshëm politik të PD-së, vëmendja më e madhe nuk ka qenë përqëndruar në proçedurat që ndoqi lidershipi i djathtë, por në dilemën madhe nëse PD do të bashkëjetojë me Berishën apo jo. Shpallja e tij “non grata” nga Departamenti i Shtetit, i futi demokratët në një darë të fortë politike e cila i shtrëngon ata që të pozicionohen në lidhje me të ardhmen e partisë së tyre. Dilema me Berishën dhe “bar të hamë”, apo pa Berishën dhe aspirant për pushtetin e nesërm, shoqëron pjesën më të madhe të tyre përfshirë edhe vetë z. Basha.

Lëvizjet e fundit të z. Berisha nuk lënë aspak vend për ndonjë paqartësi. Ai hapur dhe kthjellët kujdeset të tregojë se Partia Demokratike as qe ka pasur dhe as qe do të ketë kuptim pa ekzistencën e tij në të. Për këtë ai angazhohet haptazi , në kundërshtim me presionin amerikan, që të kthehet në seancat e ardhshme parlamentare si deputeti më aktiv dhe më i zellshëm në luftën opozitare. Kjo do të thotë, një luftë e hapur me Departamentin e Shtetit, në të cilën ai tërheq forcën më të madhe opozitare në Shqipëri. Megjithë këtë, vetë PD dhe demokratët, duket se nuk janë në gjëndje të rikonfigurojnë një qëndrim të qartë në lidhje me Berishën. Largimi i deputetit të sapo zgjedhur Marku, si dhe linçimi publik bërë sekretares më të re të zgjedhur për çështjet e të persekutuarve politikë, Godole, treguan se berishizmi është i vetmi bosht ideologjik i Partisë Demokratike.

Sezoni i ri politik, duket se do shpërfaqet me të njëjtën formë rutinore të të bërit politike, ku opozita do përsërisë të njëjtën metodologji duke mos sjellë asgjë të re në artikulimin publik dhe politik. Lufta më e madhe e saj duket se do ngelet edhe për shumë kohë, lufta për të ndërtuar një identitet të saj të qartë politik, si dhe shkëputja nga lidershipi i së shkuarës.

Nga krahu tjetër, Partia Socialiste, kthehet këtë Shtator me atë që ajo ka ditur gjithmonë të bëjë më mire, riqarkullim, imazh, imazh dhe përsëri imazh. Në betejën e re politike që pritet të fillojë sapo të zgjedhurit të ulen në karriget e parlamentit, përballja për socialistët është konceptuar si një “perpetum mobile” e cila është në lëvizje të përhershme dhe ricklim të vazhdueshëm, për të dhënë idenë e të resë brënda një të vjetre të madhe. Cila është kjo e vejetër e madhe? Është mënyra, softi dhe thelbi i qeverisjes i cili përmblidhet në “puno dhe abuzo” në të njëjtën kohë. Për këtë, duhet sa më shumë lëvizje, sa më shumë riciklim, sa më shumë fytyra të reja, për të kamufluar të gjithmonshmen.

Partia Socialiste me një të rënë të vetme riformatoi drejtuesit e saj elektoralë të qarqeve, sekretariatin dhe kryesinë si dhe kabinetin e ri “Rama 3”. Pa humbur kohë, një rokadë figurash të njohura dhe të panjohura të socialistëve, tërhoqën vëmendjen e secilit. Ajo që të lë pa fjalë, por jo vetëm ne por edhe Ambasadoren e Suedisë në Tiranë, është kabineti i ri i cili ka 12 gra dhe vetëm 4 burra. Kabineti i ri “Rama 3” ia kalon edhe atij te Finlandes i cili ka 63% gra. “Rama 3” ne përberjen e tij do te ketë 67% gra dhe vetem 33% burra. Të jete valle per respektin ndaj grave? Apo per shkak të inovacionit? Se nuk besoj të jete për shkak se do e ketë më të lehtë për të bërë gjithcka vetë Ku e di? Une si mashkull ndjehem i diskriminuar! Është e vetmja qeveri në botë e cila ka kapur kuota të tilla, se lë pastaj mos të flasim për ekuilibrat fetarë dhe krahinorë.

Me pak fjalë do të kemi një tablo të njëjtë si në qeveri ashtu edhe në opozitë. Në qeverisje do jetë përsëri Kryeministi i cili do e ketë jo vetëm gjithë tepsinë në kuptimin politik, por edhe furrën që e pjek atë si dhe të gjithë përbërësit e vaktit që do kenë dukjen, masën dhe padyshim shijen e tij dhe vetëm të tij. Nga krahu tjetër, do të kemi të njëjtën opozitë e cila do investohet në gjënë më të lehtë për të bërë, në sulmin personal ndaj Ramës. Një mandat i cili përveç surprizave me fatine e Berishës, do të orvatet në të bërit ekzaktësisht të të njëtës gjë që është bërë në mandatin e kaluar. Shqipëria do vazhdojë të rilindë në kuptimin estetik të qyteteve, eknomia do strehohet tek turizmi si gjithmonë, bandat dhe krimi do vazhdojnë të investojë në ekonomimë komnbëtare dhe opozita do endet duke kërkuar për të gjetur emrat e oligarkëve deri në datën e ardhshme të zgjedhjeve.