Dhoma e Përfaqësuesve vazhdon hetimin për shkarkimin e Presidentit Trump

"Loja e hetimit për shkarkimin e Presidentit nuk do të shkojë askund. Partia Republikane nuk ka qenë kurrë më e bashkuar se tani. Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë”, tha Presidenti Trump.

Komisioni i Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga demokratët do të zhvillojë sot seancat e tij të para mbi hetimin për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, ku katër studiues ligjorë do të paraqiten për të diskutuar bazën kushtetuese të procesit të shkarkimit të Presidentit.

Seanca dëgjimore vjen një ditë pasi Komisioni i Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve lëshoi një raport prej 300 faqesh, në të cilin Presidenti Trump akuzohet për “shkelje” në përpjekjen për të kërkuar ndërhyrjen politike të Ukrainës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe më pas duke bërë përpjekje maksimale për “penguar” Kongresin në hetimin e veprimeve të tij.

Adam Schiff, Kryetar i Komisionit të Inteligjencës, Dhoma e Përfaqësuesve

“Presidenti udhëzoi dëshmitarët që të mos paraqiteshin. Presidenti përdori postin e tij dhe platformën e tij për të frikësuar dëshmitarët. Nëse Kongresi lejon një president që të pengojë punën e Kongresit në këtë mënyrë, madje duke përfshirë një hetim mbi shkarkimin bazuar në shkeljet e vetë presidentit, atëherë ne krijojmë përshtypjen se jemi në rregull me këto veprime”, tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff, i cili është Kryetar i Komisionit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve.

Duke folur të martën në Londër, ku po merr pjesë në samitin e NATO-s, Presidenti Trump vazhdoi të diskreditojë hetimin gati tre mujor mbi shkarkimin e tij, i cili “zbuloi se presidenti amerikan, personalisht dhe përmes agjentëve brenda dhe jashtë qeverisë amerikane, kërkoi ndërhyrjen e një qeverie të huaj, atë të Ukrainës, për të ndihmuar rizgjedhjen e tij”.

Donald Trump, President i Shteteve të Bashkuara

“Loja e hetimit për shkarkimin e Presidentit nuk do të shkojë askund. Partia Republikane nuk ka qenë kurrë më e bashkuar se tani. Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë”, tha Presidenti Trump.

Udhëheqësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve iu përgjigjen raportit të demokratëve, duke thënë se “nuk ka asgjë bindëse, nuk ka asgjë marramendëse për të ecur përpara me procesin e shkarkimit të Presidentit”. /VoA