Delegacioni i Gjysmëhënës së Kuqe Turke viziton të prekurit nga tërmeti në Durrës

"Ne po bëjmë detyrën tonë në drejtim të marrëveshjes së miqësisë së përjetshme që Turqia ka bërë me Shqipërinë, ne kemi edhe lidhje historike edhe farefisnore", tha drejtori i përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, dr. Ibrahim Altan

Delegacioni i Gjysmëhënës së Kuqe Turke i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni Dr. Ibrahim Altan dhe Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük vizituan të prekurit nga tërmeti në Durrës, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni i kryesuar edhe nga përfaqësuesit e AFAD-it, vizituan të prekurit e tërmetit që ishin vendosur në një sallë sportive në Durrës.

Altan dhe Yörük biseduan një kohë me qytetarët, dëgjuan hallet e tyre. Në vizitë ata ishin të shoqëruar edhe nga përfaqësues të Kryqit të Kuq nga Shqipëria.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe Turke Dr. Ibrahim Altan në deklaratën për AA tha se që nga momenti i parë i fatkeqësisë, kanë kontaktuar Kryqin e Kuq të Shqipërisë dhe me orientimin e tyre kanë nisur dy maune me ndihma nga Turqia, një nga depot e institucionit në Bullgari si dhe një nga Kosova me produkte ushqimore.

Ai duke informuar rreth punimeve për ndihmë dhe kërkim-shpëtim tha se “Në drejtim të orientimeve të zyrtarëve lokalë jemi duke shpërndarë ndihmat tona. Shpresojmë se sipas nevojave do të mundësojmë prej këtu dhe do të sjellim nga Turqia, për të plotësuar nevojat e të prekurve nga tërmeti”.

“Ne po bëjmë detyrën tonë në drejtim të marrëveshjes së miqësisë së përjetshme që Turqia ka bërë me Shqipërinë, ne kemi edhe lidhje historike edhe farefisnore”, theksoi Altan.

Ndërsa ambasadori Yörük tha se Turqia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie shumë të veçanta.

“Kemi një unitet që daton me shekuj. Një ndër dimensionet më të rëndësishme të politikës sonë të jashtme është që njeriun dhe ndërgjegjen e vë në fokus. Prandaj që nga orët e para të tërmetit Republika e Turqisë i ka mobilizuar të gjitha institucionet me gjithë fuqinë në drejtim të udhëzimeve të presidentit tonë”, u shpreh Yörük.

Ai duke folur edhe për paralajmërimin e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në lidhje me ndërtimin e 500 njësive të banimit në Shqipëri pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin tha: “Shpresojmë se në ditët në vijim do të kontaktojmë autoritetet shqiptare në lidhje me këtë temë”.

“Turqia është një vend i madh. Turqia është një shtet i fuqishëm dhe ne këtë fuqi, falë Zotit, e dëshmuam edhe në këto ditë të vështira duke i ndihmuar vëllezërit tanë shqiptarë”, potencoi ambasadori turk në Shqipëri.