Çmimet e karburanteve në Kosovë disaherë më të ulëta se në Shqipëri

Sot në Kosovë, çmimi i derivateve është 1.14 euro deri 1.20 euro për dizell, ndërsa për benzinën është 1.16 euro deri 1.25 euro.

Kurse, këto çmime, sot në Shqipëri janë 1.52 euro për dizell dhe 1.55 euro për benzinë.

Rritja e çmimit të derivateve në shumë vende të Evropës duket se nuk ka filluar ende ta prekë Kosovën.

Madje, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të çmimet e derivateve kanë filluar të shënojnë rënie të lehtë dhe se qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar më së liri krahasuar me vendet e rajonit.

“Sot për herë të parë pas dy javësh ka ra për 20 dollarë çmimi i naftës. Lajmi i mirë është se çmimet e derivateve kanë filluar të bien. Edhe në tregun e Kosovës kanë filluar të ketë rënie të lehtë të çmimeve. Çmimin e përcakton berzha dhe OPEC”,  ka thënë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani duke shtuar se çmime përcaktohen nga bursa botërore.

Sipas tij, Kosova nuk do të ketë krizë të naftës.

“Kosova nuk do të ketë krizë të naftës. Sot në vendin tonë, çmimi i derivateve është 1.14 euro deri 1.20 euro për dizell, ndërsa për benzinën është 1.16 euro deri 1.25 euro. Këto çmime, sot në Shqipëri janë 1.52 euro për dizell dhe 1.55 euro për benzina, pra jemi më të lirë në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut e cila e ka akcizën më të lirë për 22 cent për dizell”.

Berjani thekson se “Kosova nuk ka rafineri të naftës që mund të garantoj një çmim fiks, mirëpo qytetarët janë duke u furnizuar me çmimet më të lira në rajon”.

Tash e disa ditë,  Shqipëri  dhe disa vende të Evropës kanë njoftuar se ka filluar rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës.

Çmimi i qymyrit, karbonit dhe gazit në Evropë, ka arritur nivele rekord, pasi çmimi i naftës shkoi në mbi 80 dollarë apo rreth 70 euro për fuçi, duke treguar shenja se bota po shkon drejt një krize të energjisë. Britania e Madhe është duke u përballur me krizën të naftës.

Ndërsa, çmimet e gazit natyror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rritën në mbi 6 dollarë për milion njësi termike britanike, çmimi i tyre më i lartë në shtatë vjet.