Bursat studentore, Turqia fton studentët e huaj të aplikojnë

"Përveç gjithë kësaj, studentëve tanë u sigurojmë edhe para xhepi. Pra, një student i cili do të fitojë këtë bursë, do të mund të studiojë pa pasur nevojë për ndonjë fond tjetër", tha Eren

 Kreu i Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Abdullah Eren u bën thirrje studentëve të huaj të cilët planifikojnë të ndjekin arsimin e lartë në Turqi, të mos humbasin afatin e caktuar për aplikim, për marrjen e bursave studentore të cilat financohen nga shteti turk.

“Ftojmë studentët nga e gjithë bota të studiojnë në Turqi”, tha Abdullah Eren, në një intervistë për Anadolu Agency (AA).

Siç sqaroi Eren, programi u ofron mundësi studentëve të huaj të ndjekin nivelin bachelor, master si dhe doktoraturë, duke e bërë këtë në universitetet më prestigjioze të Turqisë.

“Ata që dëshirojnë të studiojnë në Turqi, këtë mund ta bëjnë duke aplikuar në adresën e internetit ‘www.turkiyeburslari.gov.tr’ deri më 20 shkurt”, tha ai.

Eren sqaron se informacione më të hollësishme për sistemin arsimor si dhe për qytetet e Turqisë, studentët do të mund të gjejnë në faqen e tyre të internetit, gjë e cila thjeshtëzon aplikimin.

Aty qëndron se programi i bursave të cilin e ka themeluar qeveria, u ndahet studentëve të jashtëzakonshëm të cilët dëshirojnë të ndjekin programet arsimore në universitetet më të shquara të Turqisë.

“Synon të ndërtojë një rrjet liderësh të ardhshëm të cilët do të angazhohen për forcimin e bashkëpunimit midis vendeve dhe një mirëkuptim të ndërsjellë midis shoqërive”, thuhet në faqen e internetit të programit bursist.

– Të gjitha shpenzimet janë të paguara

Eren foli edhe për përfitimet të cilat ky program ua ofron studentëve.

“Ne rregullojmë pagesën e llogarisë për studim si dhe sigurimin shëndetësor deri në përfundim të studimeve. Programi mbulon edhe shpenzimet për akomodim”, tha ai.

Siç sqaroi më tej, programi i bursave mbulon edhe udhëtimin, por përfshin edhe para xhepi.

“Përveç gjithë kësaj, studentëve tanë u sigurojmë edhe para xhepi. Pra, një student i cili do të fitojë këtë bursë, do të mund të studiojë pa pasur nevojë për ndonjë fond tjetër”, tha Eren.

– Numër rekord i aplikimeve

Numri i aplikimeve për programin e themeluar në vitin 2012 rritet gjithnjë e më shumë, rrëfen Eren.

“Kur u lançua në vitin 2012, programi kishte rreth 42.000 aplikime ndërsa në vitin 2018 kishte 136.000 sosh”, tha ai për të shtuar se tashmë 17.500 studentë nga 160 shtete të ndryshme po përfitojnë nga programi.

“Presim një numër rekord të aplikimeve këtë vit, nga studentë nga secili cep i botës”, shprehet kreu i YTB-së.

Në ftesën drejtuar studentëve të ndjekin mësimin e lartë në Turqi, Eren i quan ata “një urë midis Turqisë dhe vendeve të tyre”, me çka i hapin rrugën përmirësimit të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ndër-shoqërore.