Britania e Madhe i bashkohet Amerikës, sanksionon dy liderët serbë të Bosnjes

Politikanët serbë të Bosnjës Milorad Dodik, dhe Zeljka Cvijanoviç janë sanksionuar nga Britania e Madhe për aktivitetin e tyre destabilizues në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sanksionet, të cilat përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve, janë vënë me arsyetimin se dyshja po minon qëllimisht paqen e fituar me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë.

Të dy individët kanë përdorur pozicionet e tyre të autoritetit për të nxitur shkëputjen de fakto të Republikës ‘Srpska’,  një nga 2 entitetet e Bosnje dhe Hercegovinës, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kushtetutën e vendit.

Milorad Dodik ka nxitur veprime për të tërhequr Republikën nga institucionet kryesore shtetërore, duke përdorur retorikë përçarëse, të rrezikshme, nacionaliste, duke minuar paqen e brendshme dhe rajonale dhe duke inkurajuar urrejtjen etnike dhe mohimin e gjenocidit.

Ndërkohë, në tetor 2021, Zeljka Cvijanoviç përdori zyrën e saj për të paraqitur legjislacionin që kërkonte të transferonte kompetencat shtetërore në nivel entiteti. Cvijanoviç ka lavdëruar publikisht kriminelët e luftës dhe ka mohuar gjenocidin në Srebrenicë.

Sekretarja e Jashtme Liz Truss tha: Këta dy politikanë po minojnë qëllimisht paqen e fituar me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë. Të inkurajuar nga Putini, sjellja e tyre e pamatur kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Me këto sanksione të ashpra po tregojmë se armiqtë e paqes do të mbajnë përgjegjësi.

Veprimet dhe retorika e Dodik dhe Cvijanoviç kërcënojnë të zhbëjnë 26 vitet e paqes dhe stabilitetit të fituar me vështirësi dhe të minojnë Marrëveshjen Kornizë të Përgjithshme për Paqe (Marrëveshja e Paqes së Dejtonit), e cila i dha fund armiqësive në 1995.