Boshnjakët shënojnë përvjetorin e shkatërrimit të Urës së Mostarit

Që nga rindërtimi i saj në vitin 2004, Bosnjë e Hercegovina çdo vit shënon përvjetorin e shkatërrimit të saj

Pavarësisht ndarjeve politike apo problemeve ekonomike në Bosnjë e Hercegovinë, shkatërrimi i Urës së Vjetër në Mostar ende ngjall kujtime të trishta çdo vit në fillim të nëntorit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ura e Mostarit, ose Ura e Vjetër, është strukturë e çmuar e Ballkanit dhe Bosnjë e Hercegovinës, i rrënjosur në zemrat e banorëve vendas dhe vizitorëve me pamjen mahnitëse historike dhe lumin Neretva nën të.

25 vjet më parë më 9 nëntor, në ora 10:16, Ura e Vjetër ishte shënjestër e një sulmi të rëndë nga forcat kroate.

Që nga rindërtimi i saj në vitin 2004, Bosnjë e Hercegovina çdo vit shënon përvjetorin e shkatërrimit të saj.

Përveç që është një atraksion turistik, ura ndjeshëm pasqyron edhe historinë e rajonit.

Në fakt, qyteti i Mostarit është i njohur kryesisht për urën e saj të vjetër që lidh lindjen dhe perëndimin e qytetit, ndërtuar përgjatë lumit Neretva.

Ura e Vjetër u ndërtua ndërmjet viteve 1557 dhe 1566 gjatë periudhës osmane.

Boshnjakët shënojnë përvjetorin e shkatërrimit të Urës së Mostarit

Megjithatë, më 9 nëntor të vitit 1993, Ura e Vjetër u varros nën lumin Neretva pasi nuk mundi t’i rezistojë granatimit nga ana e kroatëve.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kishte dënuar ish-udhëheqësin kroat boshnjak Jadranko Prliç dhe pesë të pandehur nga 10 deri në 25 vjet burg, me akuza për “spastrim etnik” të muslimanëve boshnjakë dhe shkatërrimin e Urës së Vjetër të Mostarit gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990.

Edhe pse ura u rindërtua në vitin 2004, gjë që krijoi shpresa për bashkim të lindjes dhe perëndimit të qytetit, ende vazhdojnë vështirësitë për të arritur një bashkëjetesë në qytetin e vogël boshnjak. Në fakt, sot ai njihet si “qyteti më i ndarë” në Bosnjë.

Ana lindore e lumit është e banuar nga muslimanët, ndërsa perëndimi është nga katolikët. Ky fakt në vetvete i jep urës një rol simbolik.

Gazetari boshnjak Alija Behram, dëshmitar gjatë rënies së urës 25 vjet më parë dhe gazetari i parë që ka treguar historinë për mediat, tha se ende ndjen se trishtimi është thellë në zemrën e tij.

Behram tha se historia është varrosur thellë në ujërat e Neretvës dhe ajo ditë është rrëjosur në kujtimet e tij. “Ishte një moment që kurrë nuk do ta harroj”, thotë ai.

“Në vendin ku unë isha dëshmitar i shkatërrimit, pashë një politikan të shquar të kohës, i cili ishte atje rastësisht, duke mbajtur një telefon satelitor. Kam kontaktuar me radio dhe unë kam qenë i pari që kumtova lajmin. Ishte dita më e vështirë e karrierës sime profesionale”, tha Behram.

Ai tha se ishte i zemëruar si banor i Mostarit për shkatërrimin e urës.

“Ura e Mostarit nuk është një urë e zakonshme për ne. Kemi pasur një lidhje emocionale me të. Ne takonim të dashurit tanë në urë dhe shprehnim dashurinë atje”, theksoi Behram.

“Kërcenim në ujërat e ftohta të Neretvës. Ura e Mostarit ishte zemra e qytetit atëherë, ashtu siç është edhe sot”, shtoi ai.

“Firma e qytetit”

Piktori kroat nga Mostari, Mirko Bozhiç, theksoi se Ura e Mostarit është nënshkrimi i qytetit.

“Isha nëntë vjeç kur ura u shkatërrua. Ishim në një kamp refugjatësh me familjen time në Hungari. U mërzita shumë kur dëgjova për shkatërrimin”, tha Bozhiç.

Bozhiç e përshkroi rindërtimin e urës si “rinovim i shpirtit”.

“Shkatërrimi i urës nuk ishte e thjeshtë për mua. Atë ditë, kujtimet e fëmijërisë sime u shkatërruan gjithashtu”, tha Bozhiç.

“Ne nuk luanim në kopshte si fëmijët e tjerë, por mblidheshim rreth urës, luanim lojëra në të. Në të vërtetë, ishte trashëgimia ime emocionale ajo që u shkatërrua”, shtoi Bozhiç.

Qytetarët e Mostarit shpresojnë që një ditë ndarja midis dy popujve do të përfundojë.