Biden, thirrje për njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha ndërkaq se ka pasur përpjekje që njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por sipas tij është detyrim i tij të mbrojë interesat e Serbisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i bëri thirrje presidentit të Serbisë që të punojë drejt reformave evropiane dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Thirrja ishte pjesë e një letre që presidenti Biden i dërgoi presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së pavarësisë së Serbisë.

Në letrën dërguar presidentit serb thuhet se “ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapat e fortë përpara për të arritur atë qëllim – përfshirë reformat e nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën ku do të përqendrohej me njohjen e ndërsjellë”, thuhet në letër.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha ndërkaq se ka pasur përpjekje që njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por sipas tij është detyrim i tij të mbrojë interesat e Serbisë.

“Kam pranuar urimin e presidentit Biden, e falenderoj për urimin. Sa i përket njohjes së ndërsjellë, ajo nuk qëndron në asnjë dokument të organizatave ndërkombëtare. Ne e kuptojmë që kjo është politikë e re amerikane. Kishte përpjekje për të imponuar këtë term si diçka që ne duhet të kishim pranuar si zgjidhjen përfundimtare në Uashington. Unë tashmë kam thënë personalisht një herë se çfarë mendoj për njohjen dhe përgjigjja ime nuk do të jetë ndryshe”, tha presidenti serb.

Presidenti serb tha se vendi i tij është i gatshëm që të vazhdojë bisedimet me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Letra e presidentit Biden ndërkaq u mirëpritë nga autoritetet në Kosovë.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se Shtetet e Bashkuara mbetën aleati i Kosovës. Nëpërmjet një postimi në faqen e tij të Facebook-ut, zoti Hoti tha se nga Shtëpia e Bardhë vazhdojnë të vijnë vetëm lajme të mira për Kosovën.

“Letra e Presidentit Biden, dërguar Presidentit të Serbisë për njohjen e Kosovës, është edhe një dëshmi për lidhjen e veçante midis dy vendeve, miqësinë e përjetshme për të cilën fliste presidenti Rugova, sa herë që thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq”, shkroi ai.

Më katër shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë një dakordim për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre.

Kosova e Serbia sivjet mbushin dhjetë vjet që nga fillimi i bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, por ende nuk shihet fundi i tyre.

Bisedimet që rifilluan vitin që lamë pas, pritet të vazhdojnë në pranverë meqë aktualisht Kosova është në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare.