Beogradi nuk lejon vizitën e Pacollit në Novi Pazar

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç e cila aktualisht ndodhet për vizitë në SHBA, ka paralajmëruar sot në mëngjes krerët e Këshillit Kombëtar Boshnjak (KKB) që të respektojë ligjet e shtetit të tyre

Beogradi zyrtar nuk ka lejuar sot vizitën e Behgjet Pacollit në Novi Pazar në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës për të marrë pjesë në seancën solemne të Këshillit Kombëtar Boshnjak (KKB) dhe të mbajë fjalim, konfirmuan për Anadolu Agency (AA) nga KKB.

Sipas KKB-së, Zyra për ndërlidhje e Kosovës në Beograd do të apelojë këtë vednim.

Mediat serbe kanë raportuar më parë se Beogradi ka dërguar një përgjigje negative ndaj kërkesës lidhur me Pacollin.

Këshilli Kombëtar Boshnjak ka ftuar ministrin e Jashtëm të Kosovës, që sot të marrë pjesë në seancën solemne të Këshillit në Novi Pazar dhe të adresohet në Forumin “Procesi i krijimit të stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit në Ballkan”.

Në këtë konferencë, ishte paraparë që përveç Pacollit, fjalim të mbajë edhe kryetari i KKB-së, Sulejman Ugljanin dhe profesori universitar, Nexhmedin Spahiu.

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç e cila aktualisht ndodhet për vizitë në SHBA, ka paralajmëruar sot në mëngjes krerët e Këshillit Kombëtar Boshnjak (KKB) që të respektojë ligjet e shtetit të tyre dhe para së gjithash Ligjin për këshillat kombëtare të pakicave, i cili nuk lejon anëtarët e Këshillit të merren me politikë.

Ajo më tej ka theksuar se si kryeministre e Qeverisë së Serbisë dhe si kryetare e Këshillit Republikan për Pakicat Kombëtare, ka paralajmëruar krerët e KKB-së të mos keqpërdorin Këshillin Kombëtar të pakicës boshnjake.

Në reagimin e saj thuhet se “Serbia është shembull për respektimin e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare, kurse detyrë e qeverisë është të mbrojë përfaqësuesit e pakicave kombëtare nga individët e papërgjegjshëm në këshillat kombëtare për të vazhduar forcimin e shoqërisë si inkluzive dhe të barabartë”.

MPJ e Kosovës: Beogradi nuk respekton marrëveshjet e Brukselit

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje dhe indinjatën e saj për vendimin e autoriteteve të Beogradit për të mos lejuar vizitën e zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli në Novi Pazar.

Në një komunikatë me shkrim nga MPJ në lidhje me rastin thuhet se Republika e Kosovës ka vepruar gjithmonë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit mbi vizitat e zyrtarëve të lartë dhe ka respektuar procedurat e kërkuara. Sipas MPJ-së “Ky rast tregon përsëri se Beogradi nuk është i angazhuar të respektojë Marrëveshjet e Brukselit dhe shkakton tensione të panevojshme për të parandaluar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës në territorin e Serbisë”.

“Ne sot jetojmë në shekullin, ku lëvizja e lirë e njerëzve është e drejtë fundamentale e njeriut dhe çdo shtet e Qeveri duhej ta respektoj atë. Kosova ka respektuar këto të drejta me përkushtim të madh dhe do t’i respektojë gjithmonë derisa mos të abuzohet me to, si në shumë raste që ka ndodhur në të kaluarën me mysafirët nga shteti fqinj verior”, thuhet në reagim.

“Do të ishte e arsyeshme, që Kosova të mbajë të drejtën për masa reciproke kundërdrejt autoriteteve të Beogradit sipas Marrëveshjes së Brukselit, por ne i dedikohemi të drejtave fundamentale për lëvizjen e lirë të njerëzve përderisa ato mos të jenë qëllimkeqe. Të rikujtojmë faktin se edhe vizitat e kosovarëve tek bashkëkombasit e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duhet të vëhen në reciprocitet me vizitat e serbëve tek bashkëkombasit e tyre në Kosovë”, thuhet më tej nga MPJ.

Pacolli kishte kërkuar leje për vizitë pas ftesës së kryetarit të Këshillit të Sanxhakut, Sulejman Ugljanin, i cili e ka ftuar Pacollin për një vizitë dyditore për takim me boshnjakët e Serbisë.