Belgjikë, protestë kundër reformës së pensioneve

Protestuesit të cilët arritën në Bruksel nga vendet e ndryshme të Belgjikës, brohoritën slogane anti-qeveritare si dhe mbanin pankarta me mbishkrime ku kritikohej reforma për pensionet

Mijëra punonjës në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, protestuan kundër reformës së qeverisë për pensionet, raporton Anadolu Agency (AA).

Punonjësit që në orët e mëngjesit me thirrjen e sindikatave të ndryshme u mblodhën në afërsi të Stacionit Qendror të Trenave në Bruksel, prej ku filluan të marshojnë ndërsa u kthyen në të njëjtin vend.

Protestuesit të cilët arritën në Bruksel nga vendet e ndryshme të Belgjikës, brohoritën slogane anti-qeveritare si dhe mbanin pankarta me mbishkrime ku kritikohej reforma për pensionet.

Marshi vazhdoi disa orë pavarësisht reshjeve të shiut ndërsa iu bë thirrje qeverisë që të përmirësojë kushtet e pensionimit në vend.

Për shkak të protestave ndodhën ndërprerje në transportin publik.