Belgjikë, një fëmijë 8-vjeçar nis shkollën e lartë

Një fëmijë 8-vjeçar ka habitur mbarë Belgjikën pasi është regjistruar për të ndjekur studimet universitare. Pasi ka mbaruar në kohë rekord fazat e para të arsimimit, vogëlushi ka deklaruar se synon të bëhet kirurg ose astronaut.

Një 8-vjeçar nga Belgjika është regjistruar për të nisur studimet universitare pasi ka kryer 6 vite studime në vetëm 1 vit e gjysmë.

Laurent Simons, me baba belg dhe nënë holandeze, e ka koefiçentin e inteligjencës në nivelin 145 dhe mori diplomën duke ndjekur të njëjtën klasë me nxënësit 18-vjeçarë.

Në një intervistë radiofonike, Laurent tha se lënda e tij e preferuar është matematika, sepse bashkë me statistikën, gjeometrinë dhe algjebrën përbën fushën më të madhe të studimit.

Pas dy muaj pushime nga përfundimi i shkollës, tashmë 8-vjeçari është gati të nisë universitetin.

Babai i tij ka deklaruar se kur ka qenë më i vogël, Laurent është përpjekur shumë të luajë me moshatarët e tij, por lodrat nuk i pëlqenin.

Në intervistën e tij, vogëlushi ka thënë se synon të bëhet kirurg, ose astronaut, por ka shtuar se është i tërhequr edhe nga kompjuterët. “Por nëse ai do të vendosë nesër të bëhet tapicier, kjo nuk do të jetë problem për ne përsa kohë ai është i lumtur”, ka komentuar i ati. /abcnews.al